AKTUALITET, 15 Qershor 2026, 16:30

Instituti i Krimeve të Komunizmit ankohet në Kuvend! Përplasja për dosjet e ish-Sigurimit, Hoxha: S’kemi akses

Instituti i Krimeve të Komunizmit ankohet në Kuvend! Përplasja

Mungesa e zyrave, problemet me statusin dhe pagat, si dhe përplasjet për aksesin në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit po vështirësojnë punën e Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit. Gjatë raportimit vjetor në Komisionin Parlamentar për Kulturën, drejtuesit e institucionit kërkuan mbështetje për zgjidhjen e këtyre çështjeve, ndërsa ngritën shqetësime edhe për vonesat në bashkëpunimin me Autoritetin e Dosjeve dhe nevojën për një rol më të madh në edukimin e brezit të ri mbi periudhën komuniste.

"Problematika më emergjente lidhet me mjediset e punës. Prej datës 6 shkurt 2026 instituti është pa zyra të përshtatshme. Kjo situatë prek punën e stafit, administrimin e arkivit dhe bibliotekës, pritjen e publikut dhe zhvillimin normal të veprimtarive kërkimore.", tha kryetari i bordit të ISKK-së, Mentor Beqa.

Për këtë arsye, deputetja Ina Zhupa njoftoi se komisioni do t'i drejtohet zyrtarisht Këshillit të Ministrave për të kërkuar zgjidhje të qëndrueshme për godinën e institucionit. Ajo bëri të ditur gjithashtu se është depozituar një projektligj për të korrigjuar problematikat që lidhen me statusin dhe pagesat e anëtarëve të bordit. Një nga debatet më të forta në komision lidhej me marrëdhënien mes Institutit dhe Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Drejtori ekzekutiv, Çelo Hoxha, deklaroi se pavarësisht ekzistencës së një marrëveshjeje bashkëpunimi, instituti vazhdon të mos ketë aksesin që kërkon në dokumentacionin arkivor.

“Nuk kemi akses në arkivat e tyre. Kemi marrëveshje në fuqi, por nuk bien dakord për një marrëveshje të re. Bashkëpunimi kërkon barazi. Ne nuk duam të trajtojmë çështje personale, por mekanizmat se si ka funksionuar diktatura.”, tha Hoxha. Ai argumentoi se Instituti ka nevojë për dokumentacionin për të studiuar strukturat represive të regjimit komunist dhe mënyrën e funksionimit të Sigurimit të Shtetit, duke theksuar se qëllimi nuk është trajtimi i dosjeve individuale, por dokumentimi historik i mekanizmave të diktaturës. 

Ai bën të ditur edhe se tashmë një ekspert i tyre është përfshirë në grupin e punës për tekstin e historisë së klasës së 11-të dhe se po përgatiten materiale të reja didaktike për mësuesit dhe nxënësit. Megjithëse nga gjashtë rekomandimet e lëna nga Kuvendi vitin e kaluar vetëm një është realizuar plotësisht, komisioni vlerësoi progresin e bërë, duke argumentuar se rezoluta është miratuar vonë dhe instituti ka pasur vetëm pak muaj kohë për zbatimin e saj. Të enjten pritet një tjetër mbledhje, ku deputetët do të miratojnë rezolutën e re me rekomandimet për veprimtarinë e Institutit.