AKTUALITET, 22 Maj 2024, 08:58

I riu përfundoi në spital me plumb në këmbë, policia: U plagos nga kushëriri

I riu përfundoi në spital me plumb në këmbë, policia: U

Policia tha se ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mbrëmë, në fshatin Shënavlash, ku u plagos me armë zjarri, në këmbë një 24-vjeçar.

"Falë reagimit në kohë dhe veprimeve profesionale në vendngjarje, Policia zbardh ngjarjen e ndodhur mbrëmë, në fshatin Shënavlash, ku u plagos me armë zjarri, në këmbë, 24-vjeçari E. B. Si rezultat i veprimeve hetimore, identifikohet autori i dyshuar i plagosjes (kushëriri i 24-vjeçarit).

Mbrëmjen e djeshme, pas marrjes së njoftimit se në Spitalin Rajonal Durrës ishte paraqitur për të marrë mjekim, shtetasi E. B., 24 vjeç, pasi ishte plagosur me armë zjarri, në këmbë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit për Krimet e Rënda të DVP Durrës, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes, në oborrin e banesës së 24-vjeçarit, në fshatin Shënavlash, ku në drejtimin e prokurorit, kryen të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e autorit.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se autori i dyshuar është shtetasi I. B., 33 vjeç, banues në fshatin Shënavlash, i cili gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri, në këmbë, djalin e xhaxhait të tij, shtetasin E. B., i cili vijon të jetë në spital, në kujdesin e mjekëve.

Vijon puna për kapjen e shtetasit I. B. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme"- njoftoi policia.