AKTUALITET, 2 Nëntor 2024, 12:28

Atentati ndaj 3 viktimave/ 'Mosbindja civile' e Opozitës, sot protesta në Shkodër! Protestuesit nisin të mblidhen para bashkisë. Boçi: Revoltë...!

Atentati ndaj 3 viktimave/ 'Mosbindja civile' e Opozitës, sot

Mbështetës të opozitës kanë nisur të mblidhen para godinës së bashkisë ku do të mbahet dhe protesta.

Kjo është protesta e tretë kjo, si pjesë e aksionit të 'mosbindjes civile'  . Atentati me 3 viktima në Shkodër, i ndodhur më 30 tetor 2024, orientoi PD të zhvendosë protestat në kryeqendrën e veriut. Një ditë më pas Sali Berisha njoftoi përmes një konferencë për mediat se të shtunën (sot) në orën 12:00 mos-bindja civile do të thërrasë qytetarët në tubimin e radhës që do të ishte Shkodra.

Protestës i janë bashkuar deputetët e PD-së si Dhurata Çuli, Edmond Spaho, Ramadan Lika, Lindita Metaliaj etj.

Shkak për protestën e sotme është krimi i organizuar dhe masakra e ditëve të fundit, e cila i morri jetën edhe gruas së pafajshme, e cila nuk kishte lidhje fare me personat që ndodheshin në automjetin ndaj të cilit u qëllua me breshëri automatike.

Si pasojë e të shtënave humbën jetën Arlind Bushati dhe Hamza Lici. Ndërkohë bashkëshorti i qytetares Flutura Basha, që humbi jetën, Bashkim Basha, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spital.

Protetën, Berisha e cilësoi si një shenjë solidariteti me qytetarët duke akuzuar qeverinë dhe policinë se bashkëpunon me banda.

“Masakra e Shkodrës, ishte një masakër e paralajmëruar, ishte një masakër e licensuar nga Edi Rama, narkopolicia dhe narkodrejtësia e këtij sistemi” tha Berisha dje nga dritarja e apartamentit ku vijon të qëndrojë pasi është në ‘arrest  shtëpie’ në pritje të gjykimit për akuzën e korrupsionti lidhur me aferën e privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani.

Më 30 tetor, një atentat i mirëorganizuar i mori jetën 3 personave. ndërsa një u plagos rëndë. Mes viktimave është dhe Flutura Basha një qytetare e pafajshme ndërsa i plagosur rëndë mbeti bashkëshorti i saj.

Deri tani Opozita ka organizuar 2 protesta, atë të 29 tetorit duke bllokuar 6 rrethrrotullimet e akseve kryesore nacionale si dhe më 7 tetor në Tiranë ku u hodhën molotovë drejt kryeministrisë, godinave të ministrive dhe selisë PS.

Luçiano Boçi, nënkryetar i PD-së, në një intervistë për mediat, tha se në sytë e qytetarëve shkodranë dhe gjithë Shqipërisë se ai që sundon në vend është krim politika.

Boçi tha se një nga objektivat politikë të Edi Ramës është të mposhtë Shkodrën, ta poshtërojë këtë qytet.

“Shkodra duhet të shprehë revoltën, zemërimin, nuk ka kohë për të heshtur, për t’iu bindur. Duhet një mosbindje civile dhe politike”, tha Boçi.