AKTUALITET, 13 Qershor 2026, 13:14

I konsideruar i pabanueshëm pas ekspertizës, nis prishja e pallatit të dëmtuar nga tërmeti në Durrës

I konsideruar i pabanueshëm pas ekspertizës, nis prishja e pallatit

Pas një pritjeje të gjatë dhe plot pengesa, më në fund ka nisur puna për prishjen mekanike të pallatit të dëmtuar nga tërmeti në lagjen nr. 5 të Durrësit.

Për vite me radhë ky pallat mbeti si një plagë e hapur e tërmetit të vitit 2019, ashtu si dhe disa godina të tjera në të njëjtën zonë banimi. Fillimisht ky objekt u mendua të riparohej nga vetë banorët, por një ekspertizë e thelluar tregoi se ishte i pabanueshëm (DS5) dhe duhej shembur.

Ndërkaq familjet e këtij pallati, sipas Bashkisë Durrës, kishin marrë më parë fonde për riparime (DS3), 500 000 lekë për familje.

Kryebashkiakja Sako konfirmoi një ditë më parë se familjet i kanë kthyer ato para, duke u regjistruar zyrtarisht në programin e rindërtimit për të marrë një apartament të ri kur objekti të rindërtohet.

Ndryshe nga pallate të tjera që u shembën me shpërthim të kontrolluar, këtu rreziku për pallatet e shumta përreth ishte shumë i lartë. Forcat xheniere vendosën që siguria e lagjes cenohej, ndaj ka nisur prishja e strukturës kat pas kati, po çmontohet pjesë-pjesë, duke filluar nga kati i 11-të.

Ky proces ndonëse kërkon më shumë kohë, i jep fund problemeve të mbi 50 familjeve që tani shohin dritë në fund të tunelit për t’u rikthyer në shtëpi të sigurta, por edhe për banorët e zonës pasi ky pallat ishte kthyer në një vatër problematike për jetën në komunitet.

Ndërkaq mësohet se një pjesë e familjeve të këtij pallati, për shkak të vonesave dhe problemeve me strehimin, kanë pranuar të strehohen në lagjen e re në Spitallë.

Pas prishjes mekanike të këtij objekti do të nisë ndërtimi i tij në të njëjtin truall.