TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, priti këtë të hënë në Tiranë një delegacion të Komisionit për Çështjet Evropiane të Asamblesë Kombëtare të Francës, të kryesuar nga kryetari Pierre-Alexandre Anglade.
Gjatë takimit u diskutuan zhvillimet aktuale në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, si dhe rëndësia e ruajtjes së ritmit dhe besueshmërisë së procesit të anëtarësimit për vendet aspirante.
Ministri Hoxha rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë për vijimin e reformave dhe avancimin pa hezitim në rrugën drejt integrimit evropian. Ai theksoi se vendi ka një plan të qartë, rezultate konkrete dhe ambicien për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian brenda kësaj dekade.
“Me një plan të qartë, rezultate konkrete dhe ambicien për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian brenda kësaj dekade, Shqipëria është e vendosur të shfrytëzojë këtë dritare historike mundësie, duke kontribuar njëkohësisht në një Evropë më të fortë, më të sigurt dhe më të bashkuar”, u shpreh Hoxha.
Kreu i diplomacisë shqiptare vlerësoi mbështetjen e Francës si një faktor të rëndësishëm për ecurinë e procesit të zgjerimit, duke theksuar se angazhimi i Parisit, përfshirë edhe në dimensionin parlamentar, forcon besueshmërinë e perspektivës evropiane jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për të gjithë Ballkanin Perëndimor.