AKTUALITET, 25 Prill 2026, 20:12

Hoxha në Delfi: Dialogu, instrument kyç për forcimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal

Hoxha në Delfi: Dialogu, instrument kyç për forcimin e paqes,

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes diplomacisë dhe qendrave të mendimit (think tanks) në formësimin e politikave dhe forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Në një postim në rrjetin social X, Hoxha u shpreh se “diplomacia dhe qendrat e mendimit kanë një lidhje të veçantë dhe takohen natyrshëm tek analiza e thelluar dhe vizioni afatgjatë”.

Gjatë qëndrimit në Delfi, ai mori pjesë në një darkë informale me fondacionin ELIAMEP, të bashkorganizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë.

“Think tanks ofrojnë ekspertizë dhe ide inovative që ndihmojnë në formësimin e politikave, ndërsa diplomacia i shndërron këto ide në veprim konkret dhe në marrëdhënie funksionale”, theksoi Hoxha.

Ai vlerësoi diskutimet me analistë, akademikë dhe diplomatë mbi zhvillimet rajonale dhe çështjet europiane, duke nënvizuar rëndësinë e dialogut.

“Dialogu mbetet një instrument kyç për forcimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal, si dhe për realizimin e perspektivës europiane të rajonit tonë”, u shpreh ministri.

Hoxha shprehu gjithashtu mirënjohje për kontributin e ELIAMEP në mbështetje të debatit europian dhe procesit të zgjerimit.