AKTUALITET, 30 Qershor 2026, 13:41

Hetimet/ Vrasja e Endri Goxhajt në Memaliaj, pas dy muajsh në arrati Marjaldo Nela vetëdorëzohet në polici

Hetimet/ Vrasja e Endri Goxhajt në Memaliaj, pas dy muajsh në arrati

Pas rreth dy muajsh në arrati, Marjaldo Nela, i shpallur në kërkim për vrasjen e Endri Goxhajt në Memaliaj, është vetëdorëzuar në polici.

Pas paraqitjes së tij, ai është ndaluar dhe është vënë në dispozicion të organeve të drejtësisë për vijimin e procedurave hetimore.

Ngjarja për të cilën akuzohet ndodhi mbrëmjen e 21 prillit në qendër të Memaliajt. Sipas Prokurorisë, gjithçka nisi nga një konflikti të çastit mes 7 personave që nuk ishin pjesë e asnjë grupi rival. Në sherr më pas ndërhynë edhe Dali Nela, vjehrri i tij Aldo Kalemi dhe persona të tjerë.

Në kulmin e konfliktit, Endri Goxhaj nxori një pistoletë dhe qëlloi katër herë në drejtim të Dali Nelës, duke e lënë të plagosur.

Kur panë Dali Nelën të rrëzuar në tokë, dy vëllezërit e tij, Donaldo dhe Marjaldo Nela, sipas prokurorisë, nxorën armët dhe qëlluan në drejtim të Endri Goxhajt. Si pasojë e të shtënave, 30-vjeçari humbi jetën në vend. Sipas hetuesve, pamjet filmike tregojnë se Goxhaj nuk arriti të reagonte me armë në momentin kur u qëllua nga dy vëllezërit.

Pas të shtënave, Donaldo dhe Marjaldo Nela morën me automjet vëllanë e tyre të plagosur dhe e transportuan me urgjencë në Spitalin e Gjirokastrës. Më pas u larguan dhe u shpallën në kërkim nga policia si autorët e dyshuar të vrasjes.

Për këtë ngjarje, Gjykata e Gjirokastrës vendosi masën e sigurisë "arrest shtëpie" për Dali Nelën, Aldo Kalemin dhe Ermal Matajn. Ky i fundit akuzohet për veprën penale "Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës", pasi dyshohet se ka fshehur armën me të cilën është qëlluar ndaj Goxhajt.

Me vetëdorëzimin e Marjaldo Nelës, një prej personave të shpallur në kërkim pas krimit, hetimet pritet të vijojnë me marrjen në pyetje të tij për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes. Në kërkim mbetet ende vëllai i tij, Donaldo Nela.