AKTUALITET, 3 Qershor 2026, 09:54

Hetimet/ Grabitja e OTP Bank, policia arreston rojen: Nuk neutralizoi autorin! Ja shuma e parave që u vodh

Hetimet/ Grabitja e OTP Bank, policia arreston rojen: Nuk neutralizoi autorin!

Policia e Tiranës ka arrestuar rojën e sigurisë së OTP Bank, e cila u grabit një ditë më parë në kryeqytet.

Sipas burimeve, punonjësi i sigurisë akuzohet se nuk ka ndërhyrë në momentin e grabitjes dhe nuk ka vepruar për neutralizimin e autorit.

Mësohet se grabitësi ka arritur t’i marrë një qytetareje rreth 10 mijë paund, ndërsa ajo ndodhej brenda ambienteve të bankës duke kryer një depozitim. Gjithashtu, autori ka mundur të marrë edhe një shumë parash nga arka e bankës.

Nuk është bërë ende e ditur shuma totale e parave të grabitura.

Policia vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Njoftimi: 

Vijojnë hetimet për zbardhjen e vjedhjes së kryer dje, në një bankë në rrugën “Sulejman Delvina”.

Arrestohet roja i bankës, i dyshuar për shpërdorim të detyrës.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Pronës, në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e vjedhjes së kryer dje, në një bankë në rrugën “Sulejman Delvina”, arrestuan në flagrancë shtetasin F. Ç., 60 vjeç, punonjës i një shoqërie private të sigurisë fizike, i ngarkuar për ruajtjen e bankës.

Nga veprimet hetimore të deritanishme dyshohet se shtetasi F. Ç. është larguar përkohësisht gjatë orarit të shërbimit dhe nuk ka marrë masat e nevojshme për sigurimin e ambienteve të brendshme të bankës.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë hetimet intensive për dokumentimin e plotë të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorit.