AKTUALITET, 27 Qershor 2026, 12:38

Helmimi i studentëve të Akademisë së Sigurisë, policia “zbarkon” në AKU! Sekuestrohet dosja e plotë e kontrolleve ndaj kompanisë SORI-Al

Helmimi i studentëve të Akademisë së Sigurisë, policia

Hetimet për helmimin e 64 studentëve të Akademisë së Sigurisë janë zgjeruar, ndërsa Policia e Tiranës po verifikon edhe rolin e institucioneve përgjegjëse për kontrollin e sigurisë ushqimore.

Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik ka sekuestruar të gjithë dokumentacionin që disponon Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) lidhur me kontrollet e kryera ndaj kompanisë private SORI-Al, e cila furnizonte me ushqim Akademinë e Sigurisë.

Burime bëjnë me dije se oficerët e policisë kanë marrë të gjitha dosjet dhe procesverbalet e kontrolleve të ushtruara ndaj subjektit që nga muaji janar e deri më sot. Qëllimi i hetimit është të verifikohet nëse kontrollet janë kryer sipas kërkesave ligjore apo nëse ka pasur parregullsi që mund të kenë ndikuar në helmimin e përsëritur të studentëve.

Paralelisht, grupi hetimor është në pritje të rezultateve të analizave laboratorike, të cilat pritet të përcaktojnë shkakun e saktë të helmimit të 64 studentëve. Ata u transportuan në spital me simptoma të forta si dhimbje barku, të vjella, temperaturë dhe shqetësime të tjera shëndetësore.

Në varësi të përfundimeve të analizave dhe provave që do të administrohen, nuk përjashtohet mundësia që Prokuroria të lëshojë urdhër-arreste për personat që do të rezultojnë përgjegjës për ngjarjen.