AKTUALITET, 27 Maj 2026, 14:38

Grabitja në Rinas, vëllezërit Çala çojnë çështjen në Kushtetuese, kërkojnë rrëzimin e vendimit të dhënë nga Gjykata e Lartë

Grabitja në Rinas, vëllezërit Çala çojnë

Vëllezërit Klement dhe Eldi Çala i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Lartë për dosjen e grabitjes së bujshme në aeroportin e Rinasit.

Kërkesa është depozituar nga avokatët e tyre, Evjola Shehu dhe Neshat Fana, të cilët kërkojnë shfuqizimin e vendimit aktual dhe rikthimin e çështjes për shqyrtim të ri.

Sipas mbrojtjes, gjatë procesit gjyqësor janë cenuar standardet e procesit të rregullt ligjor dhe të drejtat kushtetuese të të dënuarve.

Gjykata e Lartë kishte lënë më herët në fuqi dënimet për grupin e akuzuar për grabitjen e ndodhur në prill të vitit 2019 në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, ku u morën miliona euro nga një automjet që transportonte para për bankat e nivelit të dytë.

Për këtë dosje, Klement Çala është dënuar me 20 vite burg, ndërsa Eldi Çala me 17 vite burg. Në total, për të akuzuarit e grupit janë konfirmuar mbi 120 vite burg.

Grabitja e Rinasit konsiderohet një nga ngjarjet kriminale më të bujshme në Shqipëri, pasi autorët hynë të armatosur në pistën e aeroportit dhe morën një shumë të madhe parash brenda pak minutash.