TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi se reformat në sistemin e drejtësisë dhe zbatimi i Agjendës Kombëtare të Reformave, në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, përbëjnë hapa konkretë drejt anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Gogu thekson se një drejtësi e fortë, e pavarur dhe llogaridhënëse është një nga shtyllat kryesore të procesit të integrimit evropian.
“Një hap më pranë Bashkimit Evropian përmes një drejtësie të fortë, të pavarur dhe llogaridhënëse”, shprehet ministri.
Sipas tij, përmes unifikimit të statistikave gjyqësore, përmirësimit të infrastrukturës së gjykatave, garantimit të mbrojtjes për gazetarët dhe forcimit të luftës kundër krimit, po ndërtohet një sistem drejtësie gjithnjë e më efikas, transparent dhe i besueshëm.
Në materialin informues të publikuar nga Ministria e Drejtësisë, theksohet se janë unifikuar statistikat e drejtësisë sipas standardeve evropiane të CEPEJ, në zbatim të udhëzimit për metodologjinë e mbledhjes së të dhënave statistikore kombëtare të sistemit të drejtësisë.
Gjithashtu, janë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi ndërinstitucionale për harmonizimin, zbatimin dhe publikimin e të dhënave statistikore kombëtare.
Ministria nënvizon gjithashtu se janë ndërmarrë masa për përshpejtimin e shqyrtimit të çështjeve gjyqësore, përmes zbatimit të një udhërrëfyesi për uljen e dosjeve të prapambetura dhe shtimit të burimeve njerëzore në sistem, përfshirë gjyqtarë të rinj, ndihmës ligjorë dhe staf mbështetës.
Një tjetër objektiv i reformës është rritja e transparencës në sistemin e drejtësisë.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, tashmë janë bërë publike vendimet që lidhen me emërimet, vlerësimet dhe karrierën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke u mundësuar qytetarëve më shumë informacion dhe duke forcuar llogaridhënien e institucioneve të drejtësisë.
Gogu theksoi se këto masa forcojnë shtetin e së drejtës dhe e afrojnë Shqipërinë me anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.