AKTUALITET, 9 Qershor 2026, 13:12

Gjyqi për Sterilizimin, Beqaj jashtë kafazit! Ish-ministri kërkon rrëzimin e disa provave dixhitale: Laboratori dixhital i SPAK-ut nuk ka akreditim

Gjyqi për Sterilizimin, Beqaj jashtë kafazit! Ish-ministri kërkon

Në GJKKO po zhvillohet seanca e radhës për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj në çështjen e Sterilizimit. Në këtë gjyq, ish-ministri nuk qëndron më në kafaz, por ulet në krah të avokatëve ndërsa në sallë u shoqërua nga forcat e Policisë së Burgjeve.

Në seancën e 21 majit, ish-ministri paraqiti 16 kërkesa paraprake ndërsa sot para trupi gjykues artikuloi kërkesën që të përjashtohen disa prova dixhitale, duke argumentuar se bien në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale, konventat ndërkombëtare, si edhe me vendime të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese.

Ai ngriti gjithashtu dyshime mbi laboratorin dixhital të SPAK-ut, duke pretenduar se nuk disponon akreditimet dhe standardet e nevojshme ndërkombëtare për trajtimin e provave elektronike.

“Kërkoj të përjashtohen disa prova dixhitale, pasi bien në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale, konventat ndërkombëtare, vendimin unifikues të Gjykatës së Lartë dhe dy vendime të Gjykatës Kushtetuese. Kam rezerva për laboratorin e SPAK. Laboratori dixhital i SPAK-ut nuk ka akreditim, nuk ka standarde ISO dhe nuk e dimë cili është enti që e ka certifikuar. E kemi pyetur për këtë standard, por nuk kemi marrë përgjigje”, tha Beqaj.