AKTUALITET, 19 Shkurt 2024, 23:17

"Gjuha që përdorni kundër Ramës nuk ngjit më"/ Sejamini-Nokës: Duhet të ndryshoni, dilni dhe flisni me votuesit!

"Gjuha që përdorni kundër Ramës nuk ngjit

Në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, është diskutuar për protestën e opozitës në 20 shkurt dhe strategjinë e saj përballë pushtetit të Edi Ramës. 

Analisti Neritan Sejamini i dha disa sugjerime Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Flamur Noka, për të ndryshuar qasje sepse votuesit janë krejt ndryshe nga çfarë i percepton opozita. 

Biseda në studio:

Neritan Sejamini: Faktori më i rëndësishëm janë votuesit, duhet të flisni me ta. Unë dua një gjuhë tjetër, gjuha që përdorni kundër Ramës nuk ngjit më sepse është bërë e lodhshme. Duhet të shpjegosh Edi Ramën, oligarkët, si e kanë kapur dhe monopolizuar ekonominë. Si ka zaptuar krimi ekonominë dhe shtetin. Pra duhet të shpjegoni këto gjëra, situatën e vështirë dhe rrugët tuaja, planin tuaj. Kështu njerëzit kuptojnë. Shumica e shqiptarëve do të duan ndryshimin e qeverisë. Por, shumica e shqiptarëve votues, votojnë për qeverinë. Ju duhet të bëni për vete ata shqiptarë që nuk votojnë. Cila është strategjia juaj për këtë gjë? Si mund të dilni nga oborri juaj?

Flamur Noka: Duhen 100-150 mijë vota shtesë. Biem dakord që me gjithë bandat që ka përdorur Rama, me gjithë fondet publike, paratë e krimit dhe të drogës, rrëmbimin e vulës, vetëm po të linte emrin e Berishës në fletë votimi, sot do të ishin 150 mijë vota plus në ato kuti. Janë votat. Kanë ikur shumë shqiptarë, por pafund socialistë presin ndryshimin. Marr gjithmonë mesazhe.

Neritan Sejamini: Mesazhet që ju vijnë ju nuk janë të sinqerta sepse ju bëjnë edhe qejfin. Ju duhet të bëni një xhiro të premten në mbrëmje në Tiranë.  Të kuptoni kush janë votuesit. Të rrini një ditë te TEG-u të kuptoni mentalitetin dhe mendësinë e tyre. Duhet të shikoni NGO-të shqiptare, mediat shqiptare, me qetësi, sepse janë faktorë të pushtetit. Të shikoni si sillen ata, si sillen pronarët e mediave dhe ndikuesit e mediave. Të shihini çfarë bëjnë njerëzit në facebook, çfarë mendojnë. Të flisni me shqiptarët në emigracion, të flisni me ambasadorët e huaj. Ju duhet të shihni të gjithë këtë, këta janë votuesit, jo vetëm votuesit e tu që i ke me vete.