AKTUALITET, 10 Qershor 2026, 17:54

GJKKO dënon Marjus Tafanin me 2 vite e 4 muaj burg, Kristi Bixheku fajtor për përkrahje të autorit të krimit

GJKKO dënon Marjus Tafanin me 2 vite e 4 muaj burg, Kristi Bixheku fajtor

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka përmbyllur procesin gjyqësor në ngarkim të të pandehurve Artan (Marjus) Tafani dhe Kristi Bixheku. Për të pandehurin Artan (Marjus) Tafani, gjykata ka konfirmuar fajësinë për veprat penale të sigurimit të kushteve për vrasje dhe pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal. Në vendimin e gjykatës theksohet:

“Në aplikim të nenit 37/a, pika 4 të K.Pr.Penale dhe nenit 28 pika 7 të K.Penal të pandehurit Artan (Marjus) Tafani, në cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, i ulet dënimi dhe përfundimisht dënohet me 2 (dy) vite e 4 (katër) muaj burgim.”. Në të njëjtën seancë, situata ligjore e të pandehurit Kristi Bixheku ka pësuar ndryshime të rëndësishme, pasi trupi gjykues e ka shpallur atë të pafajshëm për akuzat fillestare të pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal dhe mbajtjes së armëve pa leje. Gjykata ka ndryshuar kualifikimin e veprës për Bixhekun, duke u shprehur se:

“Në bazë të nenit 375 të K.Pr.Penale, ndryshimin e kualifikimit ligjor të faktit penal, deklarimin fajtor të të pandehurit Kristi Bixheku, për kryerjen e veprës penale “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302, pg 1 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 3 (tre) vite e 6 (gjashtë) muaj burgim.”. Pas aplikimit të procedurës së gjykimit të shkurtuar, i pandehuri Kristi Bixheku është dënuar përfundimisht me 2 vite e 4 muaj burgim.

Sipas vendimit, shpenzimet procedurale dhe gjyqësore të kryera gjatë procesit i ngarkohen të pandehurve. Palët kanë të drejtën e ankimit në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda një afati 15-ditor nga njoftimi i vendimit të arsyetuar.