AKTUALITET, 11 Qershor 2026, 22:27

Gjinishi: Njerëz pranë pushtetit tentuan të përfshinin fondacione pro Gazës në drejtimin e protestës

Gjinishi: Njerëz pranë pushtetit tentuan të përfshinin

Analisti Ermir Gjinishi, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, deklaroi se e konsideron protestën e nisur nga Zvërneci, si një nga mobilizimet më të mëdha qytetare të viteve të fundit dhe se pjesëmarrja masive ka treguar një pakënaqësi që shkon përtej ndarjeve tradicionale politike dhe gjeografike. Gjinishi zbuloi gjithashtu se ka pasur tentativa nga njerëz pranë pushtetit për të përfshirë fondacione pro Gazës në drejtimin e protestës, por sipas tij këto përpjekje kanë dështuar.

“Protesta nuk ka problem emrat, numrat, Veriun apo Jugun. Aty është gjithë Shqipëria, sepse nuk ka filtra, çdokush merr mikrofonin dhe flet. Unë nuk kam parë protestë më të madhe pas asaj të 21 Janarit. Fundi i protestës dje ishte te Banka e Shqipërisë dhe fillimi ishte te sheshi Wilson.

Aty nuk ka as serbë, as grekë, as iranianë. Është kriminale t’i thuash popullit tënd që mund të ketë disa spiunë iranianë të fusin duart.

Ka pasur përpjekje nga njerëz afër pushtetit, për të përfshirë disa fondacione pro Gazës, për të marrë drejtimin e protestës, por kanë dështuar, se këto fondacione e kanë refuzuar.

Protesta është thirrur për të pasur kthim legjitimiteti dhe ky legjitimitet nuk kufizohet vetëm tek qeverisja dhe zoti Rama por ka shkuar përtej kësaj, kërkon ndryshimin e establishmentit.

Janë dy parti që ngjajnë si motra, kanë kultin e liderit, nuk lejojnë mendimin ndryshe, e shkelin ligjin sa herë të duan”- tha Gjinishi.