TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Në Ramstein, Gjermani, u zhvillua takimi i 25-të i Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes për Ukrainën (UDCG). Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin e përdorën takimin e tyre të fundit për t’i bërë presion administratës së ardhshme Trump, që të mos heqë dorë nga lufta e Kievit. Austin paralajmëroi se ndërprerja e mbështetjes ushtarake tani “do të prodhoj më shumë agresion, kaos dhe luftë.”
Vendet pjesëmarrëse në koalicion shprehën vendosmërinë e tyre për të bërë gjithçka që është e mundur për të siguruar që Ukraina të vijojë të marrë ndihmën e duhur humanitare dhe ushtarake, e cila do t’i mundësojë pozita më të forta kur bisedimet të fillojnë, me iniciativën e Ukrainës, për zgjidhjen e konfliktit.
Takimi, i organizuar nga sekretari Amerikan i Mbrojtjes, z. Lloyd Austin, u zhvillua në nivel ministrash dhe në të morën pjesë sekretari i Përgjithshëm i NATO, z. Mark Rutte, presidenti i Ukrainës, z. Volodymyr Zelenskyy, si dhe përfaqësues nga 50 vende mbështetëse për Ukrainën. Shqipëria u përfaqësua nga zëvendësministri i Mbrojtjes, z. Dorian Tola.
Vendet mbështetëse, përfshirë Shqipërinë e përfaqësuar nga zëvendësministri i Mbrojtjes, Dorian Tola, ritheksuan vendosmërinë për të ndihmuar Ukrainën me ndihma humanitare dhe ushtarake.
“Falë këtij bashkëpunimi, Ukraina ka marrë mbështetjen e nevojshme për të forcuar mbrojtjen e saj dhe për të siguruar pozita më të forta në përballjen me agresionin rus”, njofton Ministria e Mbrojtjes.
Falë mbështetjes së Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes për Ukrainën, janë siguruar deri tani më shumë se 126 miliardë dollarë ndihma, ndërsa Ukraina ka marrë furnizime thelbësore për t’u mbrojtur nga agresioni i vazhdueshëm rus. Këto furnizime përfshijnë tanke, sisteme të mbrojtjes ajrore, automjete luftarake, municione, avionë F-16 dhe trajnime për pilotët.
Në fjalën e tij, sekretari i Përgjithshëm i NATO, z. Mark Rutte, theksoi: “Ne duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për të siguruar që Ukraina të ketë atë që i nevojitet, për sa i përket trajnimit dhe pajisjeve, për të mbizotëruar në këtë luftë.” Ai nënvizoi gjithashtu se lufta e vazhdueshme në Ukrainë ka implikime të drejtpërdrejta për sigurinë globale.
Ministrat e Mbrojtjes miratuan një program udhërrëfyes të koalicioneve të aftësive, i udhëhequr nga 14 vende dhe Ukraina. Ky program prezanton një qasje efikase dhe të qëndrueshme për përmbushjen e nevojave afatshkurtra dhe afatgjata të Ukrainës, duke u fokusuar në fushat e forcave ajrore, mjeteve të blinduara, artilerisë, çminimit, dronëve, teknologjisë së informacionit, mbrojtjes së integruar ajrore dhe raketore, si dhe sigurisë detare.
Në përfundim të takimit, anëtarët e grupit ritheksuan vendosmërinë e tyre të palëkundur për të vijuar mbështetjen ndaj sovranitetit të Ukrainës dhe për të kontribuar në sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar.