AKTUALITET, 15 Qershor 2026, 13:15

Operacion në kufirin shqiptaro-grek, kapen 96 kg drogë, arrestohet gruaja nga Athina që e transportonte me makinë! Kaloi nga Sarandë nëpërmjet…

Operacion në kufirin shqiptaro-grek, kapen 96 kg drogë, arrestohet

Një tjetër ngarkesë e madhe me lëndë narkotike është sekuestruar mëngjesin e sotëm nga policia greke, pranë kufirit në Igumenicë.

Kjo është sasia e dytë e kapur në këtë zonë brenda 8 ditëve të fundit.

Konkretisht, në një operacion që u zhvillua sot në mëngjes, oficerët e policisë nga Departamenti i Narkotikëve të Nëndrejtorisë së Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimeve në Igumenicë, u bllokua një makinë privatee marrë me qira.

Në timon ishte një grua 61-vjeçare greke me origjinë nga Moskato, Athinë.

Gjatë kontrollit të pjesës së brendshme të automjetit, oficerët e policisë gjetën dhe sekuestruan 90 pako me 96 kg e 74 gramë marijuanë, një sasi kokaine me peshë 5.21 gramë, një sasi e vogël hashashi të llojit “cokollatë”, 100 euro dhe 2 telefona celularë.

Sasia e sekuestruar sot dyshohet se është trafikuar nga Saranda, duke kaluar përmes fshatrave të Bashkisë Konispol. 8 ditë më parë, në Nea Selefkia të Igumenicës, u sekuestruan rreth 110 kg marijuanë që kishin kaluar nga fshati Ciflik i Konispolit, ndërkohë që policia greke arrestoi një shtetas turk.

Paralelisht policia greke ka njoftuar për të dyja rastet edhe homologët shqiptarë, konkretisht Komisariatin e Policisë Kufitare Sarandë.

Policia kufitare e Sarandës ka ngritur grupe kontrolli përgjatë kufirit të gjelbër por edhe në zonat detare, për të identifikuar autorët e mundshëm të trafikimit të drogës për të dyja rastet.

Ka dyshime se në Sarandë janë riaktivizuar linja të trafikimit të drogës, pasi në 10 muajt e fundit, në Igumenicë janë kapur disa raste të trafikimit të marijuanës me një sasi të kapur prej rreth 540 kg.

Në një nga rastet, droga u sekuestrua në një skaf i cili u mbyt, por që u arrit të kapej drejtuesi, një shtetas nga Saranda.

Riaktivizim të trafikut të drogës nga Shqipëria ka pasur edhe në zonën e Janinës, Kosturit e Selanikut, ku bashkë me sasinë e kapur në Igumenicë, rezulton se në 10 muajt e fundit janë sekuestruar rreth 1.2 ton marijuanë.