TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Pika Kufitare e Morinit po përjeton fundjavën me qarkullimin më të lartë të këtij viti, ndërsa nisja e sezonit turistik ka sjellë një rritje të ndjeshme të hyrje-daljeve mes Shqipërisë dhe Kosovës. Gjatë 24 orëve të fundit, në territorin shqiptar kanë hyrë 29.918 shtetas dhe 136 autobusë, ndërsa në drejtim të Kosovës kanë dalë 26.176 qytetarë.
Fluksi i madh ka sjellë radhë automjetesh në hyrje të pikës kufitare, veçanërisht në intervalin nga ora 05:00 deri në 10:00, edhe pse në funksion janë gjashtë sportele për përpunimin e udhëtarëve. Shtimi i lëvizjeve lidhet me fundjavën e parë të korrikut, periudhë kur shumë qytetarë nga Kosova zgjedhin bregdetin shqiptar për të kaluar pushimet verore.
Trafik i rënduar është regjistruar edhe në Rrugën e Kombit, si pasojë e numrit të lartë të automjeteve që janë drejtuar drejt zonave turistike. Edhe pse pritjet kanë qenë më të gjata se zakonisht, udhëtarët vlerësojnë se marrëveshja për lëvizjen e lirë mes dy vendeve e bën kalimin kufitar më të lehtë, duke e kthyer udhëtimin drejt bregdetit shqiptar në një traditë verore për shumë familje nga Kosova.