TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Megjithëse primet e sigurimit vullnetar kanë pësuar rënie në pesëmujorin e parë të vitit, numri i kontratave të nënshkruara është rritur. Referuar të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), primet e sigurimit vullnetar gjatë muajit janar – maj 2024 arritën vlerën 4 miliardë lekë, 3.56% më pak se në 5 muajt e parë të vitit 2023. Ndërkohë që numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 1.45%.
Kompanitë e sigurimeve vazhdojnë të mbledhin më shumë të ardhura nga sigurimet e jetës, aksidenteve dhe shëndetit. Konkretisht, primet nga sigurimet e jetës kapën shifrën 847 milionë lekë gjatë muajit janar – maj 2024, duke u rritur me 19.28% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa të ardhurat nga sigurimet e aksidentit dhe shëndetit u rritën me 10.17%, raporton scan. Gjithashtu, nga të dhënat e AMF rezulton se më pak shqiptarë kanë zgjedhur të derdhin para për sigurimin e pronës. Në portofolat e pronës, përgjegjësive dhe garancive, u mblodhën rreth 500 milionë lek më pak krahasuar me janar – maj 2023. Peshën kryesore në këtë portofol e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 70.72%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësisë së përgjithshme.
Për sa i përket sigurimit nga fatkeqësitë natyrore, ka pasur një numër të lartë personash që kanë zgjedhur të sigurohen për herë të parë, por kontributi në para ka qenë më i vogël. Kështu, ka pasur një ulje me 25.61% të vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 3.94% të numrit të kontratave të sigurimit, vlerësuar me periudhën janar – maj 2023.