AKTUALITET, 27 Maj 2026, 17:06

Energjia diellore në rritje/ INSTAT: Prodhimi u zgjerua me 44%, centralet fotovoltaike siguruan 7% të energjisë në tremujorin e parë

Energjia diellore në rritje/ INSTAT: Prodhimi u zgjerua me 44%, centralet

Prodhimi i energjisë elektrike nga dielli u rrit gjatë tremujorit të parë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se centralet fotovoltaike prodhuan 254 GWh energji elektrike, nga 176 GWh në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke shënuar një rritje prej 44%.

Sipas bilancit të energjisë elektrike, kjo kategori përfaqësoi rreth 7% të prodhimit neto vendas gjatë tremujorit të parë, në një periudhë kur prodhimi total vendas arriti në 3.647 GWh.

Rritja vjen në një kohë kur energjia diellore po zgjerohet me ritme të shpejta në vend. Të dhënat e Entit Rregullator të Energjisë tregojnë se numri i centraleve fotovoltaike është rritur nga vetëm 10 në vitin 2020 në 53 në vitin 2025, ndërsa kapacitetet e instaluara janë zgjeruar nga 21 MW në 631 MW gjatë së njëjtës periudhë.

Zgjerimi i kapaciteteve ka sjellë edhe një rritje të ndjeshme të prodhimit. Nga rreth 32 mijë MWh energji të prodhuara nga centralet fotovoltaike në vitin 2020, prodhimi ka arritur në mbi 832 mijë MWh në vitin 2025, duke reflektuar rritjen e investimeve në energjinë diellore dhe hyrjen në operim të projekteve të reja.

Megjithatë, rritja e shpejtë e prodhimit po sjell edhe sfida të reja për sistemin energjetik. Disa prej projekteve më të mëdha fotovoltaike kanë nisur të kërkojnë integrimin e sistemeve të magazinimit të energjisë, me qëllim ruajtjen e energjisë së prodhuar gjatë orëve me diell dhe përdorimin e saj në momentet e pikut të konsumit.