AKTUALITET, 8 Tetor 2024, 22:10

Ministri i Brendshëm shkarkon “super-drejtoreshën” me rrogë 15 mijë euro të “IdentiTek”

Ministri i Brendshëm shkarkon “super-drejtoreshën” me

Lapsi.al mëson se “super drejtoresha” me pagë 15 mijë euro në muaj është shkarkuar nga detyra prej ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha. Bashkë me të janë larguar edhe vartës të saj. 

Pak javë më parë Ministria e Brendshme kishte dërguar një grup auditimi në “IdentiTek” dhe siç mëson Lapsi.al nga burime të sigurta, janë konstatuar një sërë shkeljesh në menaxhimin e fondeve dhe praktikave ligjore të ruajtjes së të dhënave sensitive. Për këtë të fundit madje janë njoftuar edhe institucione të tjera në vend. 

Loina Prifti ishte deri para një viti një e re anonime në Gjermani, ku siç u tha punonte në fushën e Inteligjencës Artificiale. Ajo u soll prej andej nga ish-ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi dhe u katapultua pa zhurmë në krye të kompanisë shtetërore që pasoi koncensionin e “Aleat” për prodhimin e pasaportave dhe kartave të identitetit.

Madje për të nuk pati as edhe një ceremoni prezantimi asokohe kur nisi transferimi i kompanisë nga koncensionari te shteti shqiptar. 

Raporti i plotë i grupit të auditimit të Ministrisë së Brendshme pritet të hedhë më shumë dritë mbi veprimtarinë e Loina Priftit dhe vartësve të saj në kompaninë “IdentiTek”.