AKTUALITET, 29 Maj 2026, 20:19

Edi Rama: PS do ta hapë “tunelin” e BE-së përfundimisht për Shqipërinë dhe shqiptarët

Edi Rama: PS do ta hapë “tunelin” e BE-së

Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste deklaroi sot nga Dibra se ashtu sikurse PS bëri realitet rrugën e Arbrit, ashtu do të bëjë realitet edhe anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Sipas Ramës, PS-në e ka karakterizuar gjithmonë prirja për të ndërtuar dhe gjithmonë ka qenë e detyruar të përballet me forcën e shkatërrimit.

“Po aq e vështirë dhe po aq e pamundur sa dukej rruga e Arbrit, po aq e vështirë dhe po aq e pamundur duket rruga për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian dhe po ju them siç e bëmë njërën do bëjmë dhe tjetrën”, u shpreh ai.

Duke bërë një paralelizëm me ecurinë e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, Rama siguroi se Shqipëria do të jetë e lidhur me Europën siç është sot Dibra e lidhur me Tiranën që është bërë jastëku i gjelbër i Tiranës.

“Siç nuk u tërhoqëm kur edhe gjeologjia na doli kundër dhe na bllokoi për një kohë të gjatë tek tuneli i Murrizit që detyruam pastaj ta bëjmë hap pas hapi, ashtu ne e kemi bërë deri tani dhe do ta bëjmë deri në fund edhe rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe edhe ai tunel do hapet përfundimisht për Shqipërinë dhe për shqiptarët”, tha Rama.

Rama tha se në raport me shoqërinë, PS-në e ka karakterizuar fryma e tolerancës dhe fryma e njerëzillëkut, ndërsa forca tjetër politike karakterizohet nga ndasia dhe përçarja.

“Ndërsa ata, që Partia Socialiste ka pasur dhe tani s’i kam më përballë, se i ka mbrapa, kanë qenë gjithmonë mishërimi i përçarjes edhe i urrejtjes, i ndarjes së shqiptarëve në këtej dhe andej, në demokratë dhe në komunistë, në njerëz të demokracisë dhe njerëz të diktaturës. Një ndasi, një përçarje, një poshtërsi që u shtri deri në fshatin më të largët ku zihej komshiu me komshiun për partinë”, tha Rama.

Rama tha se PS karakterizohet nga toleranca jo sepse është më e butë dhe nuk di të reagojë, , por sepse ne jemi qytetar të Europës në radhë të parë një herë këtu në shpirt pastaj jemi edhe europianë këtu në mendje.

“Ne jemi qytetarët e Europës, ne socialistët edhe kur jemi në maj të maleve, edhe kur jemi në fund në cepin më të largët Shqipërisë, qytetarin më europian dhe e them pa asnjë ekzagjerim në të gjitha qindra e mijëra kilometra e mia xhiro rreth Shqipërisë gjithë këto vite e kam gjetur mbi 100 vjeç në kalanë e Dodës. Për të ardhur tek rrëmuja dhe tek hakmarrja, çfarë na dallon si dy botë me të tjerët ne këtu në skenën politike shqiptare na dallon pikërisht dëshira, pasioni dhe vullneti për rregullin dhe angazhimi i paepur për shtetin e së drejtës, për drejtësinë me çdo kosto”, shtoi ai.

Rama theksoi se PS është forca politike që mori përsipër të dorëzonte pushtetin gjyqësor tek prokurorët dhe gjykatësit dhe të tërhiqej nga një territor duke ndarë në realitet atë që Kushtetuta e ka ndarë prej kohësh në letër.

“Demokracia nuk funksionon nëse nuk ka tre pushtete të ndara dhe ne po bëjmë demokracinë të funksionojë pavarësisht të gjitha vështirësive dhe pavarësisht të gjitha kostove. Prandaj edhe kush na hidhet në fyt duke na treguar se sa veta u burgosën e sa veta u hetuan, e sa veta janë të përfshirë këtu e janë të përfshirë atje dhe pastaj habitet kur del rezultati nga kutitë e votimit, është kaq imbecil sa nuk kupton që populli shqiptar në shumicë, duke qenë një popull europian në shpirt dhe në Europë në mendje, e kupton që te gjitha këto janë kostot e një ndërmarrjeje historike që mund ta bënte dhe mund ta bëjë vetëm Partia Socialiste e Shqipërisë”, shtoi Rama.

Rama theksoi se këto janë prova që drejtësia që ne po mbështesim që të ndërtohet nuk është lojë, është reale.

“Dhe kur një pushtet pranon të goditet nga një pushtet tjetër si pushteti i drejtësisë dhe nuk reagon për ta shkelur me këmbë siç mund ta kishte shkelur dhe siç e ka shkelur me dhjetëra e dhjetëra e dhjetëra vite, atëherë rruga e vendit është rrugë e sigurt, rruga e lirisë është rrugë e sigurt, rruga e të drejtave dhe e barazisë para ligjit është rrugë e sigurt. Kjo është Partia Socialiste e Shqipërisë”, tha Rama.