AKTUALITET, 22 Maj 2024, 18:23

Edhe pas hartës së re gjyqësore, Këshilli i Lartë Gjyqësor kërkon shtim prej 6 gjyqtarësh në Apelin Administrativ

Edhe pas hartës së re gjyqësore, Këshilli i Lartë

Kur kanë kaluar më tepër se 1 vit nga hyrja në fuqi e hartës së re gjyqësore, institucionet e sistemit të drejtësisë nuk janë më efecientë në zvogëlimin e stokut të dosjeve, sesa me shpërndarjen e vjetër të gjykatave.

Nga Këshilli i Lartë i Gjyqësor konstatohet se në Gjykatën Administrative të Apelit, stoku i dosjeve të prapambetura deri në shtator 2023 arrin në 23,104 çështje.

16% e stokut të dosjeve në Apelin Administrativ janë për çështje pronësie dhe shpronësimesh, 15,4% për rishikim aktit administrativ, rreth 13% për marrëdhënie pune, 12% për çështjet e sigurimeve shoqërore etj.

Për të ekuilibruar ngarkesën e kësaj gjykate, por edhe të gjyqtarëve Këshilli i Lartë i Drejtësisë në vendimin “Për miratimin e Raportit Vlerësues të grupit të punës për hartimin e strategjisë për uljen e numrit të çështjeve të prapambetura në gjykata për rritjen e numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve në Republikën e Shqipërisë” të publikuar te konsultimet publike, konkludon se nevojitet një shtim prej 6 gjyqtarësh, duke arritur numri i tyre në 19 nga 16 që janë aktualisht. Kërkesë për shtimin e numrit të gjyqtarëve në Apelin Administrativ, e çon në 414 numrin e përgjithshëm të tyre në sistemin e drejtësisë nga 408 gjyqtarë që janë të përcaktuar me dekretet e Presidentit.

“Në 29 shtator 2023, Gjykata Administrative e Apelit kishte 23,104 çështje të papërfunduara. Mosha mesatare e çështjeve të papërfunduara ishte 3.3 vjet. Nëse konsiderojmë se çështje të prapambetura (backlog) quhen çështjet më të vjetra se një vit, atëherë backlogu përbëhet nga 19,930 çështje. Gjykata Administrative e Apelit që prej themelimit të saj ka pasur një numër të konsiderueshëm çështjes të prapambetura. Që prej vitit 2015, numri i çështjeve në shqyrtim pa vendim e ka tejkaluar numrin 10.000. Sipas të dhënave të shtatorit 2023, numri i çështjeve të prapambetura arrin 22,643 çështje, ndërkohë që numri i çështjeve të reja që regjistrohen çdo vit në gjykatë është rreth 3000-3500 çështje”, thuhet në vendim.

Këshilli i Lartë Gjyqësor mbikëqyr ngarkesën e çështjeve gjyqësore dhe punës së gjykatave dhe nëse është e nevojshme rishikon numrin e gjyqtarëve.

KLGJ-ja thekson në vendimin e propozuar se është e detyruar të shpërndajë gjyqtarët në një mënyrë të tillë që ngarkesa mes tyre të jetë e barabartë, për aq sa është e mundur.

Për sa i përket analizës lidhur me hartën e re gjyqësore, sipas KLGJ-së është bërë veçmas për çdo gjykatë dhe çështje, por analiza nuk synoi të krahasonte ngarkesën e gjykatave të apelit me atë të shkallëve të para, ose ngarkesën e gjykatave administrative me atë të gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm.

“Ndërsa kjo analizë do të na tregonte shpërndarjen optimale të gjyqtarëve mes rretheve gjyqësore, gjykatave të apelit të juridiksionit të përgjithshëm dhe gjykata administrative të shkallës së parë dhe riorganizimit të kompetencave të tyre tokësore, në të nuk u përfshi vlerësimi sa i takon shpërndarjes optimale të gjyqtarëve në Gjykatën Administrative të Apelit, për shkak se kjo gjykatë nuk prekej nga riorganizimi i kompetencave tokësore të gjykatave”, thuhet në vendim.

Rishpërndarja e gjykatave me hartën e re gjyqësore nisi zbatimin nga 1 shkurti 2023. Hyrja në fuqi e ndryshimeve solli reduktimin nga 22 Gjykata të Shkallës së Parë, në 12 të shtrira në rang vendi. Gjykatat e të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm janë, si: Berat, Elbasan, Tiranë, Vlorë, Dibër (bashkuar me Gjykatën e Matit), Durrës (bashkuar me gjykatat e Kavajës dhe Krujës), Fier (bashkuar me Gjykatën e Lushnjës), Gjirokastër (bashkuar me gjykatat e Sarandës dhe Përmetit), Kukës (bashkuar me Gjykatën e Tropojës), Korçë (bashkuar me Gjykatën e Pogradecit) ,Lezhë (bashkuar me Gjykatën e Kurbinit) dhe Shkodër(bashkuar me Gjykatën e Pukës).

Reforma solli edhe shkrirjen e 6 gjykatave të Apelit, në një Gjykate Kombëtare Apeli në Tiranë.

Harta e re gjyqësore solli mbajtjen e vetëm dy Gjykatave Administrative të Shkallës së Parë për të ruajtur aksesin e duhur në drejtësi, një në Lushnje, që të mbulojë të gjithë zonën jugore dhe jugperëndimore të Shqipërisë, dhe një në Tiranë, që do të mbulojë të gjithë zonën veriore dhe juglindore, përkatësisht Korçën, e cila nuk ka akses të lehtë në Lushnjë.

KLGJ argumentoi se me hartën e re gjyqësore për rishpërndarjen e gjykatave synohet të ekuilibrohet ngarkesën e punës dhe shpërndarjes së gjyqtarëve ndërmjet gjykatave. Në raportin e grupit të punës së KLGJ-së theksohet se mosvendosja e këtij ekuilibri, p.sh., kur disa gjykata kanë ngarkesë më të madhe pune për gjyqtar se disa të tjera, është tregues i mungesës së efikasitetit dhe mund të sjellë për pasojë pabarazi në drejtësi./Monitor