TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një stuhi ka përfshirë zonën e Librazhdit pasditen e djeshme, ku u regjistruan dhjetëra goditje rrufesh të fuqishme, duke shkaktuar momente paniku dhe frike te banorët e kësaj zone.
Mësohet se stuhia ka qenë më e përqendruar në zonën e Parkut Kombëtar "Shebenik-Jabllanicë", ku në fshatin Spathar, në Njësinë Administrative Qendër, në vendin e njohur si "Arrës", një rrufe e fuqishme ka goditur një tufë dhish.
Si pasojë e kësaj rrufeje, tufa ka ngordhur e gjitha, ndërsa bariu ka shpëtuar mrekullisht, pasi ndodhej vetëm pak metra më tej në momentin kur shkarkesa elektrike ka goditur.
Bëhet me dije se ai është gjetur nga banorët e zonës në gjendje të rënduar psikologjike, për shkak të dëmit ekonomik që i është shkaktuar nga ngordhja e tufës së bagëtive të tij. Bariut i është dhënë ndihma e parë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Për mediat, banorët e zonës kanë deklaruar se stuhia e ditës së djeshme ishte një nga më të fuqishmet e viteve të fundit.
Ndërkohë, gjatë ditës së sotme po kryhen procedurat për groposjen e tufës së bagëtive të ngordhura, me qëllim shmangien e problemeve sanitare dhe mbrojtjen e mjedisit. Autoritetet lokale dhe veterinarët janë angazhuar për ndjekjen e situatës dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga fenomenet atmosferike.