AKTUALITET, 28 Janar 2023, 12:17

Dyshohet se plagosi me mjet prerës një shtetas te "Fresku", arrestohet 23-vjeçari

Dyshohet se plagosi me mjet prerës një shtetas te "Fresku",
Foto ilustruese: Zona e Freskut në Tiranë

Një shtetas është goditur me mjet prerës në zonën e Freskut në Tiranë në tentativë për ta vrarë dhe ka mbetur i plagosur. Sipas Policisë së Tiranës, ai është goditur në pjesë të ndryshme të trupit nga një shtetas që u largua, por u kap nga policia.

"Goditi me mjet prerës, në pjesë të ndryshme të trupit, një shtetas dhe u largua, falë reagimit në kohë dhe veprimeve të shpejta dhe profesionale nga Policia, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar. Sekuestrohet automjeti i përdorur nga autori i dyshuar.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas marrjes së njoftimit se te Fresku, shtetasi G. C., 23 vjeç, gjatë një konflikti për motive të dobëta, dyshohet se ka goditur me mjet prerës shtetasin A. H., 25 vjeç, kanë organizuar menjëherë punën për kapjen e autorit të dyshuar.

Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale, brenda një kohe rekord, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, kapën dhe arrestuan, për veprat penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë, dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, shtetasin G. C.

Shtetasi A. H., aktualisht ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti tip “Audi”, i autorit të dyshuar. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale"-njoftoi policia.