AKTUALITET, 9 Korrik 2026, 17:14

Dyshohet se ofronin këmbim valutor pa licencë/ Ekzekutohen 11 masa sigurie, sekuestrohen miliona lekë dhe mijëra euro

Dyshohet se ofronin këmbim valutor pa licencë/ Ekzekutohen 11 masa

Policia e Beratit ka ekzekutuar 11 masa sigurie në kuadër të një operacioni të zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, nën drejtimin e Prokurorisë së Beratit.

Sipas Policisë, janë vendosur 4 masa sigurie “Arrest në shtëpi”, ndërsa për 7 persona është caktuar masa “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” si dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.

Nga hetimet ka rezultuar se në gjashtë subjekte të transfertave të parave, të vendosura në Berat, Kuçovë, Skrapar dhe Dimal, të administruara ose me të punësuar personat nën hetim, ushtrohej aktivitet i këmbimit valutor pa licencën përkatëse, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në këto subjekte, shërbimet e Policisë sekuestruan në cilësinë e provës materiale 8.808.000 lekë, 118.425 euro, 7.390 dollarë amerikanë, 665 paund britanikë, 110 franga zvicerane, si dhe 12 telefona celularë, 4 pajisje DVR, 2 USB dhe 1 laptop.

Hetimet vijojnë, nën drejtimin e Prokurorisë së Beratit, për dokumentimin e plotë të aktivitetit të paligjshëm dhe përgjegjësive penale të personave të përfshirë.