AKTUALITET, 13 Maj 2026, 10:48

“Dyfisho sipërmarrjen tënde”/ Nënshkruhet memorandumi Shtet-Banka-Sipërmarrje, 250 mln euro kredi me norma të ulta interesi dhe 30 mln euro granci sovrane

“Dyfisho sipërmarrjen tënde”/ Nënshkruhet memorandumi

Nënshkruhet memorandumi mes shtetit-bankave dhe sipërmarrjes për të vënë në zbatim programin “Dyfisho sipërmarrjen tënde”. Programi është i bazuar në kredi të buta me fokus tek sektori i bujqësisë dhe tek ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Në fjalën e tij, guvernatori Gent Sejko u bëri thirrje bankave të rrisin vëmendjen ndaj këtyre ndërmarrjeve sidomos në fushën e Bujqësisë ndërsa bizneseve u kërkoi t’u afrohen më shumë bankave.

“Prej më shumë se një viti, Banka e Shqipërisë ka miratuar dhe ka vënë në zbatim një Program Financimi për Biznesin e Vogël dhe të Mesëm, i cili synon reduktimin e kostove të kredisë për këtë segment esencial të ekonomisë shqiptare. Progresi i bërë gjatë dy viteve të fundit është padyshim një premisë inkurajuese.

Megjithatë, duke përfituar nga rasti, dëshiroj t’i bëj thirrje industrisë bankare për të pasur një vëmendje më të madhe ndaj financimit të sektorit të SME-ve, e veçanërisht atij agro”, tha Sejko.

Ministri i Financave Petrit Malaj tha se SME-të zënë peshën kryesore në ekonomi, ndaj shteti ofron rreth 250 mln euro kredi me normal të ulëta interesi, garanci sovrane 30 milionë euro dhe grante financimi për planet e biznesit.

“Kjo nismë që po ndërmerr qeveria lidhet me SME, përbën shtyllën kryesore të ekonomisë shqiptare. 99% e ndërmarrjeve në ekonominë shqiptare kategorizohen si ndërmarrje të vogla dhe të mesme. Rreth 75 e investimeve të kryera në ekonomi vijnë nga këto ndërmarrje.78% e vlerës së shtuar në ekonomi vjen nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Janë sektorët që kanë peshën kryesore në ekonomi, si në prodhim, shërbim dhe të gjitha aktivitetet e tjera ekonomike. Pesha e SME është më e lartë se sa pesha që zë në vendet e BE.

82% të fuqisë punëtore, ndërkohë në BE punësojnë rreth 65% të fuqisë punëtore. Qeveria përmes nismës do synojë rritjen e aksesit në financim për SME në sektorë që janë të nënfinancuar. Do ti mbështesim jo vetëm në rritjen e kapaciteteve tek, dixhitalizim eficencës së energjisë dhe fusha të tjera. Mbështetja që do të japim do sjellë edhe rritje të konkorrueshmërisë dhe produktivitetit të tyre dhe do sjellë edhe përafrim më të shpejtë me standardet e BE. Do mbështetet fillimisht me kredi 250 mln euro, që do ofrohet me norma të ulëta interesi, kredi të buta. Edhe me garanci sovrane 30 mln euro, që do shtrihet nga sektori bujqësor për të mbështetur edhe SME. Garancia sovrane do të rritet bazuar nga kërkesat që do vijnë nga SME”, tha Malaj.

Kurse Ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj tha se shteti do të dalë garant për 70% të vlerës së kredisë.

Kryeministri Rama tha se interesi i kredisë do të jetë minimumi 2% dhe maksimumi 3%.

“Dua të risjell këtu atë që tha guvernatori, sepse është një moment për ta nënvizuar, 5 vjet më parë kredia në Shqipëri ka qenë rreth 5 mld euro, sot pas 5 vjetësh kredia në Shqipëri është 10 mld euro, jemi në një dyfishim të kapacitete financues nga banka të nivelit të dytë. Do vihet në dispozicion linjë kredi me interes minimal 2% dhe maksimal 3%. Kërkojmë bashkëpunim të plotë nga ana juaj, e shoqëruar me garanci sovrane për të ulur riskun e kredisë për bankat. Garanci sovrane që varion nga 30-70% sipas nivelit të riskut. Bankat duhet të jenë pak më kurajoze edhe në raport me sektorin e bujqësisë. Niveli i riskut është i lartë dhe kemi mësuar se projektet nga ky sektor duhet të jenë projekte që kanë një risk më të ulët dhe që lidhen me agrobiznesin, inovacionin”, tha Rama.

Rama: Një marrëveshje për të financuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, që janë motor i ekonomisë tonë dhe që sot kanë në gjirin e tyre realitete me potencial të jashtëzakonshëm. Kam mundur të shoh një sërë ndërmarrjesh të vogla, të cilat bazuar në eksperiencën e shqiptarëve të kthyer nga emigracioni, në shpirtin inovativ dhe vullnetin për të bërë diçka domethënëse në komunitet dhe për të punësuar familjen dhe njerëzit përreth kanë qenë eksperienca të jashtëzakonshme, prekëse, dhe ne ndërkohë eksperienca që më kanë treguar se me një mbështetje financiare të arsyeshme, ato ndërmarrje mund të rriten dhe sjellin të reja kuptimplota për ekonominë tonë. Është edhe eksperienca e atyre që kanë punuar këtu që në krye të herës, dhe që sot janë gati të hedhin një hap tjetër. Problemi ka qenë financimi i aksesueshëm dhe arsyeshëm në pamundësi për të marrë kreditë normale e komerciale që nuk mund t’i përballojnë për të hedhur hapin tjetër. Kështu ka lindur edhe ky projekt, i cili fillimisht ishte i dedikuar për bujqësinë, dhe sot është një projekt që është kthyer në një program shumë serioz mbështetjeje të qeverisë për të gjitha ndërmarrjet e të mesme. Sot të gjithë ata që kanë një ndërmarrje të vogël apo të mesme, duhet ta dëgjojnë se brenda një kohë të shkurtër pas firmosjes së kësaj marrëveshje do të futet në zbatim një program që iu hap një derë për të dyfishuar sipërmarrjen e tyre bazuar në planin e biznesit.  Dua ta risjell këtu atë që tha në fjalën e tij guvernatori se është një moment për ta nënvizuar. 5 vjet më parë, kredia në Shqipëri ka qenë rreth 5 miliardë euro. Sot kredia është 10 miliardë euro. Jemi në një dyfishim të kapacitetit financues të ekonomisë nga bankat e nivelit të dytë që tregon se ekonomia është në gjendje të shëndetshme dhe me potencial rritjeje të mëtejshme.

Kreditë e këqija kanë rënë në nivele të papërfillshme si kërcënim potencial për ekonominë. Një dekadë më parë ishin thuajse 25 përqind kreditë e këqija. Vetëm në dy vitet e fundit, kredia e re ka prekur pothuajse tavanin e 5 miliardëve. Është diçka e jashtëzakonshme por edhe një arsye më shumë për të hedhur një hap kurajoz falë bashkëpunimit dhe disponimit total të Bankën e Shqipërisë për ta mbështetur rritjen ekonomike përmes rritjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe falë punës që kemi bërë së bashku. Për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme do të vihet një dispozicion një linjë kredie me interes minimal 2 përqind dhe maksimal 3 përqind, e shoqëruar me garanci sovrane të qeverisë për të ulur në mënyrë kuptimplotë riskun e kredisë për bankat. Garancia varion nga 30-70 përqind sipas nivelit të vlerësuar të riskut. Bankat duhet të jenë pak më kurajoze edhe në raport me sektorin e bujqësisë, ku niveli i riskut është i lartë dhe tanimë projektet nga ky sektor të financueshme duhet të jenë projekte që kanë risk më të ulët dhe që lidhen me agrobiznesin, inovacionin, me teknologjitë e reja dhe me patjetër agroturizmin, komponent në fakt që ju e keni mbështetur pa probleme.

Besoj shumë që edhe një fond granti, i cili do të vendoset në dispozicion për të hartuar planet e biznesit, për t’i ndihmuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për të bërë aplikimet e tyre do të vijë si vlerë e shtuar në lehtësimin e marrëdhënies mes subjekteve dhe bankave. Ky grant do të duhet të administrohet në mënyrë të koordinuar që të kuptojmë se cfarë ka më shumë për të mësuar në këtë proces.