AKTUALITET, 22 Maj 2024, 15:15

Dumani tregon nëse ka pasur ndërhyrje nga Greqia për 'Belerin': Asnjë shtet i huaj nuk na ndikon

Dumani tregon nëse ka pasur ndërhyrje nga Greqia për

Kreu i SPAK, Altin Dumani, duke iu përgjigjur pyetjeve që iu drejtuan nga deputetja e PD-së, Elda Hoti, lidhur me faktin sepse nuk ndryshohet masa e sigurisë ndaj ish-Kryeministrit Sali Berisha, duke mos e lejuar të marrë pjesë në seancat e Kuvendit, tha se nuk ka asnjë koment lidhur me çështjen në fjalë, pasi është në hetim. Më herët Dumani tha se drejtësia nuk mund të sfidohet, duke sqaruar në këtë mënyrë faktin sepse ndaj Berishës është kërkuar një masë sigurie, si ajo e arrestit në shtëpi.

Ndërkohë përsa i takon pyetjes mbi gjyqtaren e GJKKO-së, Irena Gjoka, për ndalimin e saj për të hyrë në zonën Schengen vite më parë, ndërkohë që kjo gjë nuk është deklaruar në formular nga drejtuesja e GJKKO-së, Dumani tha se nuk ka asnjë informacion. Dumani tha se është një tjetër strukturë e cila bën verifikimet, përfshi edhe rastin konkret. Kreu i SPAK mohoi që të kishte ndërhyrje në punën e SPAK nga shtete të huaja. “Asnjë shtet i huaj nuk ndërhyn në punën tonë”, tha Dumani, duke iu përgjigjur një pyetjeje lidhur me hetimin në rastin e Fredi Belerit.

Në raportimin e tij në Komisionin e Ligjeve, Dumani tha se Gjykata e Lartë ka një rol shumë të madh për njehsimin e praktikës gjyqësore. “Na ka qartësuar të gjithëve me një vendim njehësues lidhur me uniformizimin përsa i takon çështjeve penale, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me krimin e organizuar”, tha Dumani. Lidhur me pastrimin e parave, Dumani tha se kemi rastin e Cosa Nostra që tentoi të pastrojë paratë duke përdorur Shqipërinë, por ka funksionuar sistemi dhe në rastin konkret paratë u sekuestruan, sikundër hetimi vijoi.