TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Gjykata e Durrësit vijon të funksionojë në kushte alarmante infrastrukturore dhe sigurie, pavarësisht rritjes së volumit të çështjeve pas hartës së re gjyqësore. Analiza vjetore e vitit 2025 evidenton mungesë sallash, ambiente të amortizuara dhe standarde minimale sigurie, deri në pikën që një pjesë e gjykimeve zhvillohen në zyrat e gjyqtarëve, ndërsa palët në konflikt ndajnë të njëjtat korridore brenda godinës.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Durrës, si një problematikë e adresuar ndër vite, përballet sërish me mungesë të theksuar infrastrukture dhe sigurie, pavarësisht volumit të lartë të çështjeve që trajton. Sipas analizës vjetore 2025, gjykata operon në dy godina të ndara, Seksioni Penal dhe Seksioni Civil, si edhe Zyra e Shërbimit në Kavajë, në kushte që cilësohen “jashtë çdo standardi për ushtrimin e funksionit të dhënies së drejtësisë”.
Problematikat kryesore lidhen me mungesën e sallave, sigurinë minimale dhe amortizimin e godinës ekzistuese, duke detyruar që një pjesë e gjykimeve të zhvillohen edhe në zyrat e gjyqtarëve. Raporti evidenton një sërë problematikash, ku një ndër to është edhe siguria, pasi personat që janë në konflikt dhe kërkojnë zgjidhje në gjykatë kalojnë në të njëjtat korridore të godinës.
Fluksi i punës për Gjykatën e Durrësit u shtua edhe më shumë pas hartës së re territoriale, pasi tashmë ajo trajton edhe çështje penale apo civile që më parë trajtoheshin nga Gjykata e Kavajës. Sipas të dhënave, përgjatë vitit 2025, Këshilli i Gjykatës ka marrë gjithsej 118 vendime.