AKTUALITET, 28 Qershor 2026, 11:13

Draft Raporti i KE: Kuotat për magjistratë të rinj, të pamjaftueshme. Ja sektorët me riskun më të lartë për korrupsion

Draft Raporti i KE: Kuotat për magjistratë të rinj, të

Ashtu si dhe në raportin e një viti më parë për gjendjen e Shtetit ligjor në Shqipëri, sërish dhe këtë herë, Komisioni Evropian, ngre shqetësimin për nivelin e ulët të kuotave për gjyqtarë e prokurorë në Shkollën e Magjistraturës. “Kuotat e vendosura nga KLGJ dhe KLP për Shkollën e Magjistraturës, për vitin akademik 2026-2027 janë të pamjaftueshme për të adresuar sfidat në lidhje me cilësinë dhe efikasitetin e sistemeve gjyqësore”, lexohet në draftin konfidencial që Report TV ka siguruar.

Për vitin akademik 2026-2027, KLGJ ka përcaktuar që në fillim të vitit 10 kuota janë për kandidatët për gjyqtarë, 6 për kandidatët si ndihmës ligjore në Gjykatat e Apelit dhe 35 për kandidatët Ndihmës ligjore për Gjykata e Shkallës së Parë. Ndërsa KLP përcaktoi 7 kuota për prokurorë.

“Këto kuota përcaktohen pas një vlerësimi të vendeve të lira aktuale dhe të ardhshme, bazuar në strukturën ekzistuese organizative, por nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur plotësisht nevojat e sistemit gjyqësor në afat të mesëm”, këmbëngul Komisioni Europian, duke nënvizuar se “Rritja e numrit të magjistratëve në strukturën organizative është thelbësore.”

Raporti vë po ashtu në dukje se dhe “pozicionet e këshilltarëve ligjorë mbeten shumë të kufizuara në numër krahasuar me nevojat e menjëhershme të sistemit”, ndërsa flet për mungesa në burimet njerëzore. “Nga 219 punonjës shtesë të kërkuar nga institucionet e drejtësisë në vitin 2025, vetëm 100 punonjës shtesë u miratuan nga Parlamenti. Një plan gjithëpërfshirës i burimeve njerëzore, duke përfshirë planifikimin për secilën kategori të stafit shtesë, ende mungon. Megjithëse investimet në sistemin e drejtësisë kanë vazhduar të rriten, shpenzimet e përgjithshme mbeten të ulëta dhe buxheti i ndarë për burime shtesë njerëzore nuk është rritur pavarësisht nga kërkesa e të dy Këshillave”.

Në janar të këtij viti, u miratuan disa ndryshime ligjore të cilat parashikojnë se procedura e emërimit për anëtarët jo-magjistratë, në KLGJ dhe KLP, do duhet të zbatojë, të njëjtat standarde për verifikimin e të dhënave dhe pasurisë si ato që zbatohen për anëtarët magjistratë. Megjithatë, raporti vëren se asnjë prej institucioneve të përfshira në këtë proces “ende nuk kanë miratuar rregulloren e procedurës për të zbatuar plotësisht këto ndryshime dhe për të kontribuar në pavarësinë dhe profesionalizmin e të dy Këshillave”.

Vlerësimi është pjesë e draft raportit të përvitshëm që Komisioni Europian harton për gjendjen e shtetit ligjor në Shqipëri. Drafti, ende konfidencial, sipas Report TV, vëren se si kërkesa e Prokurorisë së Posaçme ashtu dhe masa e mëhershme e pezullimit të saj nga detyra çuan në “reagime të konsiderueshme negative nga degët ekzekutive dhe legjislative, duke përfshirë sulme të drejtpërdrejta kundër SPAK-ut”.

Edhe nisma e socialistëve për të zgjeruar rrethin e zyrtarëve të lartë që nuk mund të pezullohen nga detyra “kontribuoi në një perceptim për pandëshkueshmëri”, shkruhet në dokumentin e Brukselit.

Draft Raporti vlerëson punën e SPAK-ut në luftën ndaj korrupsionit duke përmendur 30 zyrtarë dhe ish zyrtarë të nivelit të lartë të hetuara gjatë vitit të shkuar. Por anga ana tjetër vëren se ka patur përpjekje si nga politika dhe nga mediat për të ushtruar trysni dhe ndikim të papërshtatshëm.

Duke analizuar përpjekjet e institucioneve për të frenuar e parandaluar korrupsionin, dokumenti rendit sektorët dhe institucionet me rriskun më të lartë, nga shëndetësia, arsimi, prokurimi publik, te policia e partneritetet publik-privat apo Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.

Polarizimi i fortë politik shihet si të ketë një ndikim negative mbi veprimtarinë e parlamentit, ndërsa përmend dhe protestat e dhunshme të organizuara nga Partia Demokratike.

Raporti sheh probleme dhe në procesin e ligjbërjes, ndërsa përmend “mungesën e publikimit në kohë të drafteve për shqyrtim nga palët e interesuara, cilësinë e procesit të konsultimit dhe ndjekjen e kufizuar” si dhe praktikën e paraqitjes së projektligjeve “në momentin e fundit nga një deputet i vetëm, gjë që ndikon në cilësinë dhe transparencën e procesit legjislativ”.

Raporti: Korrupsioni, ja sektorët me riskun më të lartë

Një listë e gjatë e sektorëve dhe institucione që vlerësohen me risk të lartë të korrupsionit, shtë përfshirë në raportin e përvitshëm të Komisionit Europian për shtetin ligjor, draftin konfidencia të të cilit Report Tv e disponon.

 “Rreziqet e korrupsionit mbeten të pranishme, veçanërisht në shëndetësi, arsim, prokurim publik, partneritete publik-private dhe brenda policisë, si dhe në marrjen e akteve të pronësisë dhe procedurave përkatëse (Agjencia Shtetërore e Kadastrës), të cilat konsiderohen fusha me rrezik të lartë për korrupsion”, shkruhet në dokument.

Ndërsa theksohet nevojë për një vëmendje dhe ndaj integriteit të vetë biznesit, raporti shton se “rreziqet e korrupsionit vazhdojnë gjithashtu në ndërmarrjet shtetërore ose pjesërisht shtetërore, të cilat kanë marrë përgjegjësi të rëndësishme publike, duke përfshirë prokurimin publik në sektorët dixhitalë dhe të infrastrukturës, duke përfshirë edhe fondet e BE-së”.

Sipas Komisionit Europian “transparenca në procedurat e prokurimit publik, veçanërisht për partneritetet publik-private, është ende e kufizuar, veçanërisht në lidhje me dhënien e statusit të investitorit strategjik". Dokumenti po ashtu vëren se “ndërhyrja politike është ende e përhapur dhe kërkon masa mbrojtëse më të mëdha”.

Raporti thekson se “korniza institucionale për parandalimin e korrupsionit është përmirësuar, por koordinimi me zbatimin e ligjit mbetet i dobët”, duke vënë në dukje se “vazhdojnë mangësitë në lidhje me kapacitetin e Drejtorisë së Përgjithshme Kundër Korrupsionit (DPKK) për të zbatuar dhe vlerësuar në mënyrë efektive ndikimin e masave parandaluese, duke marrë parasysh hetimet e vazhdueshme të korrupsionit në sektorë ose institucione specifike.”

Policia e Shtetit vlerësohet të jetë “shumë vulnerabël ndaj korrupsionit”, pavarësisht disa përpjekjeve. Raporti tregon se Agjencia e Mbikëqyrjes së Policisë mori drejtpërdrejt, 1 677 ankesa nga qytetarët në lidhje me sjelljen e punonjësve të Policisë së Shtetit dhe 3 846 përmes një linje të dedikuar policore, dhe se referoi 444 punonjës të zbatimit të ligjit për ndjekje penale, në shumicën e rasteve për "shpërdorim detyre" dhe "korrupsion pasiv".

Por rasti i punësimit në AMP, të Muçi Shaljanit, “ushtar” i Emiljano Shullazit, i vrarë në një atentat në Rinas, së bashku me Gilmando Danin, “ngriti shqetësim lidhur me verifikimet dhe kontrollet e AMP-së, për stafin e saj”. 

Draft Raporti i KE: Kuotat për magjistratë të rinj, të