AKTUALITET, 2 Dhjetor 2024, 15:14

Dosja “Çyrbja”/ Vangjush Dako dëshmon në SPAK, ish-kryebashkiaku jep shpjegime për...

Dosja “Çyrbja”/ Vangjush Dako dëshmon në SPAK,

I shoqëruar nga oficerët e policisë, pasi prej muajsh mbahet në arrest shtëpie, ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako mbërriti në Prokurorinë e Posaçme për të dhënë shpjegime në kuadër të hetimeve që po kryhen ndaj ish-deputetit socialist Jurgis Cyrbja, ku ndër të tjera akuzohet për krim zgjedhor.

Nga hetimet e SPAK rezulton se njerëz të krimit të organizuar kanë ndikuar tek zyrtarë socialist në Durrës që emri i Jurgis Cyrbjas, të ishte në listë të sigurt të kandidatëve për deputetë të qarkut Durrës për zgjedhjet Parlamentare të 2021.

Në komunikimet e mes të shumëkërkuarit Altin Hajri dhe Jurgis Cyrbja si dhe mes ish-deputetit dhe Edmond Kocit, i ekzekutuar në 2021 përmendet dhe emri i Dakos. Për këtë arsye, ish-kryebashkiaku dha shpjegime para hetuesve për afro 40 minuta. Në dalje të SPAK ai tha se nuk mund të bënte asnjë koment.

Jurgis Cyrbja po hetohet nën masën e arrestit me burg për korrupsion në zgjedhje, përkrahje të autorit të krimit si dhe nxjerrje të sekretit shtetëror, pasi dyshohet të ketë informuar të shumëkërkuarin Altin Hajri i cili është në kërkim për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës si dhe pjesëtarët e klanit kriminal Farruku për aksionet e policisë.