TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Detaje të reja janë zbardhur nga dëshmia e ish-ministrit të Ekonomisë dhe Financave, Genc Ruli, përpara GJKKO lidhur me dosjen e privatizimit të ish-klubit sportiv “Partizani”.
Ruli ka bërë një renditje të problemeve historike me pronën publike në Shqipëri, duke lëshuar edhe deklarata të forta mbi menaxhimin shtetëror. Sipas Rulit, shteti shqiptar nuk i ka të regjistruara as sot pronat e veta, ndërsa në atë kohë vetëm një mori e vogël e tyre gëzonin një certifikatë pronësie.
I pyetur mbi saktësinë e verifikimeve në ministri, ai u shpreh se nuk mund të përgjigjej me siguri pasi si ministër nuk i bënte vetë ato verifikime në terren, por shtoi se besonte se kishte pasur punonjës të mirë. Ai sqaroi gjithashtu se ekspertët kontabël zgjidheshin nga vetë shoqata e tyre.
Ish-ministri deklaroi se Ministria e Ekonomisë jepte më shumë një sinjal politik që rridhte nga programi qeveritar, duke shtuar se pas këtij momenti ajo nuk kishte më të drejtë të niste procedura më vete, pasi në çdo rast propozimi vinte nga ministria që e kishte pronën nën varësi. Lidhur me procedurat e ish-klubit Partizani, Ruli argumentoi se ato u përshpejtuan me qëllim që objekti të shpëtohej sa më shumë, pasi gjatë viteve ai ishte shkatërruar dhe degraduar.
Ruli kujtoi se ka qenë ministër që nga viti 1991, kohë kur shteti kishte trashëguar të gjithë pronën publike dhe duheshin vite që ato t’u ktheheshin pronarëve, ndërsa të përndjekurit kërkonin dëmshpërblime. Ai theksoi se nuk mund të bëhej hallkë penguese në këtë proces, por thjesht do t’i vendoste një kufizim se sa vite do të mbahej.
Pjesë e dëshmisë ka qenë edhe historiku i letrave me vlerë, të cilat u emetuan për dëmshpërblimet. Ruli tha se deri në vitin 2006 vlefta e letrave me vlerë u rrit, megjithëse nga viti 1997 pati një ndërprerje dhe ato u pezulluan. Ai zbuloi se në vitin 1995 e kishte pasuar 100% procesin me bono thesari, por më pas u bë një kompromis që pagesa të bëhej 20% kesh dhe 80% bono thesari.
Ky ndryshim erdhi pasi ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, kërkonte para për arkat e shtetit, një qëndrim të cilin Ruli tha se e kuptonte mjaft mirë duke qenë se më vonë ka shërbyer edhe vetë si ministër financash. “Në historitë qeveritare ka gjithmonë rastësi”, u shpreh ai.
Në mbyllje të dëshmisë së tij përpara prokurorëve të posaçëm, ish-ministri Genc Ruli sqaroi shkurtimisht edhe njohjet e tij me disa prej emrave kryesorë të përmendur në këtë dosje. Ai deklaroi se Sali Berishën e njeh që nga dhjetori i vitit 1990. Për sa i përket Jamarbër Malltezit, Ruli u shpreh se për herë të parë e ka fiksuar në oborrin e Partisë Demokratike si student dhjetori. Ndërkaq, për shtetasin Xhimi Begeja tha se e njeh thjesht si çun Tirane, ndërsa Andia Pustinën e kujton si një ish-punonjëse në një ministri dikur.