AKTUALITET, 23 Gusht 2022, 14:43

Dorëzohet në polici drejtori i AKU në Shkodër, dyshohet se favorizoi 55-vjeçarin që shiste produkte të pakontrolluara

Dorëzohet në polici drejtori i AKU në Shkodër, dyshohet se

Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Shkodër, Gjekë Sokoli, është dorëzuar në polici, pasi dyshohet se ka shpërdoruar detyrën.

Sokoli, së bashku me një inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Mjedisit të Shkodrës, dyshohet se nuk kanë evidentuar aktivitetet e paligjshme të një 55-vjeçari, i cili prodhonte dhe shiste nën emërtimet e markave të tjera, produkte ushqimore (vezë) të pakontrolluara, në pularinë e paregjistruar.

Vezët e prodhuara aty, paketoheshin me logo të markave të njohura dhe hidheshin në shitje pa asnjë kontroll për cilësinë. 55-vjeçari që kishte ngritur këtë aktivitet u vu në pranga.

Cilësia e produkteve ushqimore mbetet problem në Shqipëri.  Në vazhdimësi qytetarët kanë denoncuar për praninë në treg të produkteve të falsifikuara ose të skaduara.