AKTUALITET, 19 Shkurt 2024, 22:23

"Donin të sillnin Nusr-etin për 6 milionë euro!"/ Hoxha: Dubai parajsë fiskale dhe penale, bosët shqiptarë me kompani qindra milionë euro!

"Donin të sillnin Nusr-etin për 6 milionë euro!"/

Gazetari Artan Hoxha, ka folur për shqiptarët e Dubait, konretisht bosët e krimit të cilët janë zhvendosur në këtë vend për t'i shpëtuar autoriteteve. 

Hoxha tha se ata nuk mund të ekstradohen dhe se kanë tashmë investime qindra milionë euro në këtë vend, duke u shpërngulur bashkë me familjen.

"Është krijuar një parajsë penale dhe fiskale, Dubai. Pjesa dërrmuese kanë marrë edhe familjet, kanë hapur biznese legale atje. Dubai të ofron lehtësira të jashtëzkonshme, nuk duan të dinë nga vijnë paratë por nuk të japin shtetësi dhe nuk të lejojnë të kryesh aktivitet kriminal. Por, të lejon të investosh atje. Sidomos narkotrafikantëve, që nuk kanë më nevojë të sjellin para në Shqipëri, kanë kompani që kalojnë qindra milionë euro. Që nga agjencitë imobilare. Shqipëria e di se kush është atje. Së fundmi është i arrestuar Julian Mecaj, që i shpëtoi një atentati.

Shqipëria nuk i ekstradon dot nga Emiratet e Bashkuara. Një nga ata donte të sillte edhe Nusr-et këtu por ai tha se nuk ka treg Shqipëria. Ishin gati të paguanin 6-7 milionë euro por thanë se nuk ka treg. Në Dubai janë pjesa dërrmuese, sidomos këta që janë të dënuar në Shqipëri. Asnjë shtet nuk ka marrëveshje ekstradimi me Dubain.

Të gjithë të arrestuarit në Dubai kanë dalë. Ky i fundit do të dalë, është thjesht një procedurë që tregon adresën, a ka lek të qëndrojë dhe vazhdon jetën.

Turqia gjithashtu, është bërë vend ku shkojnë. Gramoz Rexhepi dhe Ibrahim Lici u kapën në Turqi. Vendi tjetër është Belgjika, u kap Leonard Duka. Belgjika është vendqëndrimi për ata që nuk janë shumë të ekspozuar. Gjithashtu edhe Hollanda.

Pastaj janë vende të Amerikës Latinë, Shqipëria ka bërë ekstradime nëpërmjet Interpol. Ditët e fundit kemi të arrestuar shqiptarë në Kili, Bolivi", tha Hoxha.