AKTUALITET, 9 Shkurt 2024, 10:03

Do t'i paguante Nuredin Dumanit 120 mijë euro për vrasjen e ish-gruas, SPAK mbyll hetimet për avokatin Alban Bengasi

Do t'i paguante Nuredin Dumanit 120 mijë euro për vrasjen e
Bengasi dhe Dumani

SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka çuar për gjykim dosjen e avokatit Alban Bengasi, i cili do të paguante 120 mijë euro për vrasjen e ish-gruas së tij.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përfundoi hetimet për procedimin penal nr.75/5, të vitit 2024, dhe përcolli në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kërkesën me objekt “Dërgimin për gjykim të procedimit penal nr.75/5”, në ngarkim të të pandehurit Alban Bengasi, akuzuar për veprat penale “Dhuna në familje”, në dëm të shtetases Blerta Bengasi (Ruçi), kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 130/a/1, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Rasti i referohet ngjarjes së ndodhur më datë 30.01.2020, ku rreth orës 11:15 të paradites, në Rrugën “Mihal Grameno”, Tiranë, në momentin kur shtetësja Blerta Bengasi (Ruçi), ka hyrë në automjetin e saj me targë AA 282 DI, është dhunuar nga një person, i cili e ka goditur shumë herë me grushta në pjesën e fytyrës dhe mbrapa koke, duke i shkaktuar dëmtime në pjesën e hundës, dhe të gojës tek dhëmbët. Më pas, e dëmtuara Blerta Ruçi, ka njoftuar policinë lidhur me ngjarjen e ndodhur.

Hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme, bënë të mundur identifikimin e personave që kanë bashkëpunuar për dhunën e ushtruar ndaj shtetases Blerta Ruçi, si dhe rolin e secilit person të përfshirë.

Konkretisht, i pandehuri Alban Bengasi (ish bashkëshorti i të dëmtuarës Blerta Ruçi), për shkak të konflikteve familjare, ka qënë porositësi i aktit të dhunës, i bashkëhetuari Festim Qoli, është personi që ja ka ofruar si “punë”, të pandehurit Nuredin Dumani, dhe më pas ka mundësuar takimin ndërmjet të pandehurve Alban Bengasi dhe Nuredin Dumani. I pandehuri Nuredin Dumani, është personi që ka kryer ndjekjen e shtetases Blerta Bengasi, për të mësuar intinerarin e lëvizjeve dhe përditshmërinë e saj, dhe i bashkëhetuari Eljo Bitri është ekzekutori, personi i cili ka goditur shtetasen Blerta Bengasi, ditën e ngjarjes.

Nga hetimet është evidentuar përfshirja në krim edhe e një personi tjetër, shok i të bashkëhetuarit Elio Bitri, i paidentifikuar deri më tani, i cili shfaqet në rolin e ndihmësit pasi ka qenë drejtuesi i mjetit me të cilin është larguar i bashkëhetuari Eljo Bitri nga vendi i ngjarjes.

Këta shtetas kanë bashkëvepruar në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, duke e shtrirë në kohë dhe vende aktivitetin e ndjekjes së të dëmtuarës nga vepra penale, si dhe duke patur një ndarje të qartë rolesh në kryerjen e veprës penale.

Dëshmia e Nuredin Dumanit

Nuredin Dumani, në dëshminë e dhënë për hetuesit, ka rrëfyer se si avokati e pagoi për t’i vrarë bashkëshorten e tij, pasi dyshonte se ajo e kishte tradhtuar me shokun e ngushtë.

Blerta Ryçi, nëna e dy fëmijëve të Alban Bengasi, u dhunua brenda më 31 Janar të vitit 2020 teksa qëndronte në automjetin e saj, por pavarësisht akuzave të saj se ngjarja ishte porositur nga i shoqi, ngjarja u zbardh vetëm pas prangosjes së Nuredin Dumanit, rreth dy vite më vonë.

“Një person u afrua dhe qëlloi me grushte për disa minuta. Sipas prokurorisë ajo humbi vetëdijen për të paktën 9 ditë megjithatë arriti t’i tregojë hetuesve identikitin e autorit duke thënë se ai ishte një person i moshës 28-33 vjeç, rreth 178 cm i gjatë, ezmer, flokë të errët të shkurtër”, rrëfeu ajo.

I penduari i drejtësisë Nuredin Dumani u ka thënë hetuesve se porositësi i këtij sulmi ishte pikërisht bashkëshorti i saj, Alban Bengasi me të cilin në atë kohë ajo ishte në proces divorci. Sipas Dumanit, Bengasi e donte të vdekur bashkëshorten e tij pasi dyshonte se ajo e kishte tradhtuar me shokun e tij të ngushtë.

Nuredin Dumani i ka thënë grupit hetimor se personi që e ka kontaktuar fillimisht me avokatin ka qenë Festim Qoli, një nga 9 personat e arrestuar në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”. Sipas tij, Festim Qoli kërkonte t’i bënte nder Dumanit sepse pretendonte që avokati Alban Bengasi do e ndihmonte të merrte 500 mijë euro dëmshpërblim nga shteti për shkak se tërmeti i kishte dëmtuar kompleksin në pronësi të tij.

Ndër të tjera ai tregon se avokati nuk i ka dhënë paratë sepse donte që ajo të ishte sa më e dëmtuar. Ai shprehet se pasi nuk kanë rënë dakord, avokati i ka thënë se do ia kërkonte këtë nder të Gjergj Cukalit ( i konsideruar si i forti i Myslym Shyrit) i cili sipas tij ishte në borxh me të sepse e kishte nxjerrë njëherë nga burgu.

“Më ofroi çmimin e 120.000 eurove për ta mbaruar si punë. I thashë është shumë pak për një femër. Më thanë nëse nuk e bën ti do t'i them Gjegj Cukalit ta bëj pasi më ka borxh për një nder pasi e kam nxjerr nga burgu. I thashë vazhdo me Gjergjin unë se marr përsipër këtë gjë”, tha ai në dëshminë e tij.