AKTUALITET, 16 Qershor 2026, 13:13

'Divorci' i Marjana Koçekut me PS, ftesa e Berishës: Të gjithë deputetët socialistë të ikin, t’i hapin rrugë shkarkimit të Ramës me mocion

'Divorci' i Marjana Koçekut me PS, ftesa e Berishës:

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se vlerësonte maksimalisht lëvizjen më të fundit të deputetes socialiste, tashmë e dalë e pavarur, Marjana Koçeku, e njohur edhe si “Neomalësorja”, teksa ftoi edhe deputetë të tjerë të PS-së që t’i bashkoheshin asaj dhe të largoheshin nga selia rozë, për t’iu bashkëngjitur një mocioni mosbesimi në Parlament me qëllim rrëzimin dhe shkarkimin e Edi Ramës.

Teksa u pyet nga gazetarët gjatë konferencës së sotme (16 qershor) për mediat, ai komentoi edhe zhvillimet e fundit të aktualitetit politik, duke lënë të qartë se diskursi i PD është totalisht në mbështetje të protestës qytetare dhe paqësore, si dhe në plotësimin e kërkesave të qytetarëve.

I pyetur për largimin e Koçekut nga PS, ai tha: “Unë vlerësoj çdo zë kundër Edi Ramës dhe në mbështetje të protestës, unë i rikujtoj këtu shqiptarët se një zgjidhje plotësisht e mundshme do të ishte dhe është në qoftë se Edi Rama nuk pranon zgjidhjen, një zgjidhje tjetër paqësore siç e kërkojnë protestuesit, është largimi i të gjithë deputetëve socialistë që nuk janë implikuar në krime dhe kjo i hap rrugën shkarkimit me mocion mosbesimi Edi Ramës.

Kjo shkarkon në vend Edi Ramën dhe krijon në Parlament një mundësi për plotësimin e të gjitha kërkesave, si të 5 kërkesave të tyre, ashtu edhe të një liste tjetër të 20 kërkesave duke i analizuar një për një ato. Opozita i ka dhe do i ketë të gjitha votat në favor dhe pa hezitim të kërkesave të drejta dhe kushtetuese të protestës rinore dhe qytetare”.

Ndërsa në lidhje me protestën e të rinjve dhe revoltën e qytetarëve ndaj keqqeverisjes, ai u shpreh se e mbështet plotësisht dhe se ishte i bindur se ajo do triumfonte, edhe pse Rama po përpiqet që të gjejë agjentë mes tyre apo t’i quajë si lëvizje fashiste.