TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Protesta qytetare ka hyrë në ditën e saj të 14-të radhazi, ndërsa mijëra qytetarë janë mbledhur këtë të shtunë në bulevardin përpara Kryeministrisë për të shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë dhe asaj që e cilësojnë si “klasa e vjetër politike”.

Tubimit në Tiranë i janë bashkuar edhe përfaqësues të diasporës shqiptare, të cilët kanë udhëtuar nga vende të ndryshme, duke shprehur solidaritet me protestuesit në Shqipëri.


Pjesëmarrësit kanë mbushur bulevardin me pankarta dhe thirrje kundër korrupsionit, keqqeverisjes, ndërsa kanë kërkuar hapjen e një kapitulli të ri në jetën politike të vendit.

Gjatë protestës janë mbajtur fjalime nga aktivistë, përfaqësues të grupeve qytetare dhe pjesëtarë të diasporës, të cilët kanë theksuar nevojën për përfaqësim të ri politik dhe për t’i dhënë fund, sipas tyre, dominimit të figurave që kanë drejtuar vendin prej dekadash.


Ndonëse nisi si revoltë kundër ndërtimeve në Zvërnec dhe zonat e mbrojtura, organizatorët kanë deklaruar se mobilizimi qytetar do të vijojë edhe në ditët në vazhdim, duke e konsideruar protestën si një lëvizje të gjerë për ndryshim politik dhe institucional.


Ndërkohë, atmosfera në bulevard ka qenë e qetë, por e vendosur, me pjesëmarrësit që kanë përsëritur thirrjet për largimin e klasës së vjetër politike dhe ndërtimin e një alternative të re për vendin me thirrjet “Shqipëri e re”.



Pas qëndrimit përreth tre orë para Kryeministrisë, protestuesit kanë vijuar marshimin në rrugët e Tiranës.


