AKTUALITET, 8 Qershor 2026, 15:43

Detaje të reja nga ekzekutimi në Kamëz/ Autori zbrazi 10 plumba ndaj 27-vjeçarit, viktima u qëllua në kokë! U tentua edhe vrasja e shokut të tij

Detaje të reja nga ekzekutimi në Kamëz/ Autori zbrazi 10 plumba

Detaje të reja tronditëse kanë dalë në dritë nga vrasja e 27-vjeçarit Ardian Baloshi në Kamëz, ngjarje për të cilën policia ka shpallur në kërkim dhe po kërkon shtetasin Sadik Llanaj.

Raportohet se në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 10 gëzhoja armë zjarri, çka tregon se autori ka qëlluar me breshëri në drejtim të viktimës. Nga këto të shtëna, 27-vjeçari Ardian Baloshi është prekur nga një plumb në kokë, goditje e cila rezultoi fatale për jetën e tij.

Hetimet e deritanishme kanë zbuluar se shënjestër e këtij sulmi me armë nuk ka qenë vetëm 27-vjeçari. Autori i dyshuar ka gjurmuar dhe ka qëlluar me armë zjarri edhe në drejtim të shokut të Ardian Baloshit, i cili ndodhej me të në momentin e ngjarjes. Fatmirësisht, ky i fundit ka mundur t’u shpëtojë breshërive të plumbave pa pësuar lëndime.

Kujtojmë se Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka vënë në dispozicion një shpërblim prej 10 000 eurosh për çdo informacion të saktë që çon në prangosjen e Sadik Llanajt. Ai konsiderohet person me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore dhe dyshohet se qarkullon i armatosur.