AKTUALITET, 17 Qershor 2026, 13:10

Detaje/ “Njëri kishte automatik, të tjerët shkopinj”, u dhunua bashkë me gruan, rrëfehet Nika: Personat u prezantuan si policë, më ulën në tokë

Detaje/ “Njëri kishte automatik, të tjerët shkopinj”,

Skënder Nika, 55-vjeçari i cili u dhunua së bashku me gruan e tij, Bardhe Nika në fshatin Arst të Fushë Arrëzit ka treguar momentet e tmerrit kur persona ende të paidentifikuar i kanë ndaluar dhe i kanë dhunuar.

Nika u shpreh se personat u prezantuan si efektivë policie dhe njëri prej tyre mbante automatik, ndërsa të tjerët kishin shkopa druri.

“Më thanë ndalo policia u ula në tokë. Njeri kishte automatikë, 3-4 të tjerë kishin shkop druri. Ikën nga unë dhe më pas në rrugë gjetën gruan time. Ajo kuptoi se çfarë më ndodhi edhe erdhi të më ndihmojë, por e kapën në rrugë”, tha ai.

Ai ka treguar se ishte duke u kthyer nga puna kur 5 persona të maskuar dhe me rroba të ngjashme me ato të RENEA-s e kanë ndaluar. Ai tha se ka një konflikt me një bashkëfshatar, pasi e akuzojnë se ka spiunuar por ai thekson se një gjë të tillë nuk e ka bërë.

“Isha duke u kthyer nga puna nga HEC-i. Më kanë dalë pesë persona përpara dhe më thanë ndal Policia. Kam ndaluar ishin me maska dhe rroba të ngjashme me ato të RENEA-s. Njëri kishte automatik të tjerët shkopinj gome. Nuk di çfarë ka ndodhur vetëm më kanë qëlluar. Dhe di që më kanë thënë një herë mos bërtit pastaj ka dalë gruaja dhe e kanë rrahur dhe atë.

Para katër ditësh kam pas një konflikt me një familje në fshat për dredhëza. Me të njëjtët kam pasur dhe 4 vite më parë, më kanë akuzuar se kam spiunuar. Kam kërkuar t’i betohem e kam bërë çdo gjë që nuk kam paditur e spiunuar asnjë por nuk kanë pranuar. I vetmi konflikt ky është”, thotë ai.

Fushë-Arrëz/Informacion paraprak

Më datë 17.06.2026, rreth orës 08:00, në fshatin Arst, në rrugë, dyshohet se 2 shtetas ende të paidentifikuar kanë goditur me sende të forta, shtetasit S. N., 55 vjeç dhe B. N., 51 vjeçe, të dy banues në fshatin Arst.

Si pasojë, dy shtetasit kanë pësuar dëmtime të lehta dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.