TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një deklaratë e Ministrit të Jashtëm Ferit Hoxha në Bruksel lidhur me marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët ka ngjallur debat mediatik, teksa ka ardhur një sqarim zyrtar edhe nga Kryeministri Edi Rama në platformën “X”.
Fillimisht, disa raportime mediatike interpretuan deklaratën e Ministrit të Jashtëm si një pohim se protokolli me Italinë mund të mos rinovohej pas 5 viteve. Më pas, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, sqaroi se deklarata e tij ishte keqinterpretuar dhe nuk përbënte ndryshim të qëndrimit zyrtar të Shqipërisë.
Në vijim të kësaj situate, Rama ka reaguar publikisht duke ritheksuar se marrëveshja me Italinë mbetet në fuqi dhe nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimin e qeverisë shqiptare, deri në atë moment që pala italiane kërkon ta zgjasë marrëveshjen.
Reagimi i Ramës në X:
Të gjithë gazetarëve nga Italia dhe më gjerë, që po kontaktojnë lidhur me një citim të pasaktë të raportuar nga një media pas një interviste me Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë: më lejoni ta ritheksoj qartë, dhe shpresoj përfundimisht, se protokolli ynë me Italinë do të vazhdojë të jetë në fuqi, për aq kohë sa Italia e dëshiron atë.
Reagimi i Ministrit të Jashtëm Ferit Hoxha:
Një gazetar në Bruksel më pyeti nëse protokolli mes Shqipërisë dhe Italisë do të rinovohej pas përfundimit të periudhës fillestare pesëvjeçare.
Unë iu përgjigja duke thënë: “Nuk jam i sigurt, duke marrë parasysh se deri atëherë Shqipëria mund të jetë një shtet anëtar i Bashkimit Europian dhe situata, rrjedhimisht, do të jetë ndryshe.”
Ka qenë kaq e thjeshtë. Nuk bëhet fjalë për një vendim, por thjesht për një reflektim të çastit, të shprehur në mënyrë të sinqertë.
Kjo deklaratë nuk duhet në asnjë mënyrë të interpretohet si ndryshim i qëndrimit të Shqipërisë lidhur me protokollin.
Fatkeqësisht, në botën e sotme, zhurma shpesh përhapet më shpejt sesa argumenti, logjika dhe konteksti.
Shprehje të shkëputura nga konteksti shndërrohen shumë shpesh në narrativa që nuk pasqyrojnë as thelbin e diskutimit dhe as qëndrimin real të qeverive.