AKTUALITET, 26 Mars 2026, 20:49

Deklarata e Marta Kos, Shehaj: Shqiptarët nuk janë të korruptuar, por janë të marrë peng!

Deklarata e Marta Kos, Shehaj: Shqiptarët nuk janë të korruptuar,

Kryetari i partisë "Mundësia", Agron Shehaj, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka komentuar deklaratën e Komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, e cila tha se korrupsioni në Shqipëri është i pranuar nga shoqëria, ndaj kërkon kohë të luftohet dhe kjo nuk mund të bëhet vetëm me ligje të mira. Shehaj deklaroi se shoqëria shqiptare nuk është e korruptuar, por dorëzimi i njerëzve dhe pafuqia e tyre ndaj korrupsionit, krijon përshtypjen sikur shoqëria e ka pranuar korrupsionin.

“Nuk është e vetmja që e sheh Shqipërinë dhe mendon se duhet të ketë një problem me pranimin e korrupsionit. Për çdo ndërkombëtar që sheh çfarë po ndodh në Shqipëri, sidomos me përplasjen midis drejtësisë dhe pushtetarëve të korruptuar, kur sheh që partitë më të mëdha, rreshtohen në mbrojtje të të korruptuarve dhe kundër drejtësisë, thotë prit se paska një problem me pranimin e korrupsionit, mbi të cilën duhet punuar.

Kjo nuk më çudit, kush është ai që do të shihte mediat, qëndrimin e deputëtëve, qeverisë, opozitës dhe nuk do të mendonte se në Shqipëri korrupsioni pranohet? Ajo që kuptoj nga kjo deklaratë, është se nga Shqipëria përcjellim mesazhin që këtu korrupsioni është i pranuar dhe ne e duam korrupsionin. Por si është e vërteta? Nëse ne shohim sondazhet, mjafton të flaism me njerëzit, mbi 75% e shqiptarëve janë me SPAK-un, janë në mbështetje.

Keqkuptojmë faktin që shqiptarët janë të pafuqishëm, të dorëzuar deri diku dhe e interpretojmë si pranim. Jo nuk e pranojnë korrupsionin, por janë të marrë peng. Nuk dinë ç’të bëjnë, janë dorëzuar. Një pjesë e mirë, që nuk sheh zgjidhje, largohet nga Shqipëria. Mos të interpretojmë pafuqinë me pranimin e korrupsionit.

Nuk është e gjithë Shqipëria kështu, nuk përfitojnë të gjithë nga korrupsioni, njerëzit punojnë me punë të ndershme. E vuajnë korrupsionin, absolutisht”, deklaroi Shehaj.