AKTUALITET, 17 Shkurt 2024, 16:16

Degë të reja te “Shkencat e Natyrës”, ja programet 3-vjeçare

Degë të reja te “Shkencat e Natyrës”, ja programet

Dy degë të reja studimi hapen vitin e ardhshëm akademik në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, Kimi farmaceutike dhe Fizikë e Shkenca kompjuterike. Zëvendësdekania e Shkencave të Natyrës, Eglantina Xhaja tregon se programet do të jenë tre-vjeçare.

Pas përfundimit të  ciklit  bachelor studentët do të kenë mundësi të ndjekin ciklin master dhe të  profilizohen  për të punuar si  në industrinë farmaceutike e atë të teknologjisë së informacionit  apo mësues kimie dhe fizike.

“Çdo student i cili ka mesatare mbi 6.5 ka të drejtë të aplikojë në këto programe studimi. Më pas nëse do të zgjedhë mësuesi ka kriter specifik. Një student i cili do të diplomohet në kimi farmaceutike është i aftë të punojë në teknologjinë farmaceutike se ne duhet të themi se në historikun tonë farmacia ka qenë pjesë e Shkencave të Natyrës dhe pjesë integrale e kurrikulës është formimi në kimi. Është parë që studentët e diplomuar në fizikë janë të aftë dhe të përshtaten dhe kundrejt kërkesave që tregu sot ofron në teknologjinë e informacionit dhe përpunimin e të dhënave”, tha Xhaja.

Me rënien e interesit të maturantëve për të vijuar studimet e larta për kimi dhe fizikë riorganizimi i programeve të studimit në këtë fakultet u pa i domosdoshëm. Rënia e numrit të studentëve në këto degë u bë më e ndjeshme me vendosjen e mesatares mbi 7.5 si kriter për ata që dëshirojnë të studiojnë për mësuesi. Për fizikë këtë vit në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës  studiojnë pesë studentë dhe për kimi 10.