AKTUALITET, 18 Janar 2025, 18:30

Defekt i rëndë në stacionin e pompave, del jashtë funksioni sistemi i kanalizimeve në Shëngjin

Defekt i rëndë në stacionin e pompave, del jashtë funksioni

Një defekt në stacionin e pompave të ujerave të ndotura të zonës turistike të Shëngjinit, ka nxjerr jashtë funksioni te gjithë sistemin e kanalizimeve nga qendra e qytetit deri në Kune.
Avaria është identifikuar ditën e djeshme që vuri në lëvizje ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizime. Për shkak të amortizimit të bazamenteve kryesore te pompave thithëse dhe dërguese, të cilat janë këputur plotësisht, ka sjelle daljen jashtë funksioni të stacioni të pompave.

Defekti ndodhi në vaskën kryesore të stacionit në kuotat -11 metër nën nivelin e detit. Për të riparuar defektin ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizime në Lezhë ka nisur veprimet emergjente. Pavarësisht vështirësive të hasura punonjësit e kësaj ndërmarrjeje po punojnë pa ndërprerje për riparimin e defektit, që sipas drejtuesve të UK-së Lezhë, është vënë në rrugën e zgjidhjes.

I kontaktuar përmes telefonit, Drejtori e UK-Lezhë, Zef Maçi, ka bërë të ditur se po synohet që defekti të zgjidhet brenda ditës së sotme në mënyrë që të rivendoset në funksion stacioni i pompave për të mos patur ndikim në largimin e ujërave të ndotura të Shëngjinit. Për shkak të kësaj avarie nuk ka patur probleme për qytetarët, kjo edhe për shkak se gjatë dimrit numri i popullsisë në Shëngjin është i ulët.