AKTUALITET, 13 Janar 2025, 22:08

DEBATI QORI-FEVZIU/ Abilekaj: Në televizionet kombëtare flitet vetëm për lajmet e qeverisë, papërgjegjshmëri totale. Tela: Fevziu është "ishull" në Klan

DEBATI QORI-FEVZIU/ Abilekaj: Në televizionet kombëtare flitet

Gazetarët Enton Abilekaj dhe Andi Tela, në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” në MCN TV, komentuan debatin mes kreut të “Lëvizja Bashkë”, Arlind Qori dhe moderatorit të emisionit “Opinion”, Blendi Fevziu. Abilekaj tha se televizionet kombëtare flitet vetëm për lajmet e qeverisë dhe ka papërgjegjshmëri totale.

Enton Abilekaj: Mediat si pushteti i katërt rregullohen me një ligj që garanton barazinë e të gjithëve në informim, ku të japin aktivitetetet e të gjitha forcave dhe besoj ky është edhe shqetësimi i Arlindit që në lajmet e Klanit dhe të tjera nuk reflektohen këto është terr i plotë informativ. Njerëzit informohen nga debatet jo nga lajmet. Aty flitet vetëm për lajmet e qeverisë. Ka papërgjegjshmëri totale. Qori është më i papëlqyeshmi ndër ta se ka bërë betejë edhe me oligarkinë.

Andi Tela: Debati real është individi përballë medias që janë kthyer në një mekanizëm se si duhet a shohësh realitetin. Debati që lindi në studio mes Arlindit dhe Fevziut, është debati mes një personi publik që do të thotë të vërtetën e tij në televizionin Klan ndoshta përballë personit të gabuar, sepse në atë televizion, Fevziu, ndoshta, është pak ishull për temat, dëshmitarët. Pra në atë televizion ka tema tabu, personazhe në lista të zeza, ndërkohë që te Fevziu nuk është se penalizohen shumë.
Duhet thënë se për zotin Qori hapen dyert e televizioneve dhe ku ai mund të shkojë dhe të artikulojë pa censurë.