AKTUALITET, 10 Qershor 2026, 12:38

Debatet/ Shtyhet seanca në themel ndaj Veliajt, mungonin disa avokatë! Ndreca pretendoi se nuk ka marrë 24 fashikuj të dosjes

Debatet/ Shtyhet seanca në themel ndaj Veliajt, mungonin disa avokatë!

Shtyhet seanca ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe 18 të bashkëpandehurve në Gjykatën e Posaçme.

Procesi gjyqësor nuk ka vijuar këtë herë për shkak të mungesës së disa prej avokatëve mbrojtës. Për këtë arsye, gjykata vendosi shtyrjen e seancës dhe pezullimin e afateve të paraburgimit për Veliajn.

Gjatë seancës, avokati i tij, Plarent Ndreca, ngriti pretendimin se mbrojtjes nuk i janë vënë në dispozicion 24 fashikuj të dosjes hetimore.

Në përgjigje, trupa gjykuese sqaroi se materialet që mungojnë lidhen me njoftimin e akuzës për të pandehurit e tjerë në këtë çështje. Sipas gjykatës, kërkesa e mbrojtjes është legjitime, por nuk përbën detyrim për zbatimin e një vendimi tjetër gjyqësor.

Gjykata theksoi se deri në këtë fazë nuk është cenuar e drejta e mbrojtjes për Veliajn. Megjithatë, për të garantuar një proces të rregullt dhe transparent, u vendos që 24 fashikujt në fjalë t’i vihen në dispozicion mbrojtjes përpara seancës së ardhshme.

Edhe në këtë seancë, kamerat u lejuan vetëm në nisje të gjyqit, për pak minuta, gjatë diskutimeve teknike të procesit. Kryesuesja e treshes gjykuese, Elsa Ulliri, vendosi që operatorët të dalin jashtë, dhe seanca e parë e gjyqit në themel për kryebashkiakun Erjon Veliaj, të mos filmohet.

GJKKO urdhëroi që Veliajt t'i jepen 24 nga 61 fashikujt e dosjes.

Diskutime në seancën në GJKKO:

Prokurori Ols Dado: Për shkak të mungesës së disa avokatëve Prokuroria e Posaçme çmon se kjo seancë nuk mund të zhvillohet.

Avokati Plarent Ndreca: Fakti që avokati i Laert Haxhisë është në atë gjyq, kjo bëhet shkak qe Erjon Velisë në këtë gjyq t’i pezullohen afatet e paraburgimit. Ne nuk po bëhemi pengesë për zhvillimin e gjykimit dhe ka asnjë arsye përse të pezullohen afatet e paraburgimit. Nga ana tjetër kemi bërë kërkesë me shkrim më herët të na jepni vendimin e arsyetuar përse i janë pezulluar afatet e paraburgimit Veliajt?

Gjykata: Fillimisht gjykata vendos që qendra “Harabel” të mbrohet nga avokati Henrik Ligori, krahas avokatit Arjan Salati. Por gjykata konstaton se kjo seancë nuk mund të vijojë duke qenë se janë pa mbrojtje Mirton Lika, “Lani” sh.p.k., Erald Sinixhiu dhe shoqata “Eventus”, që mbrohet nga avokati Aranit Roshi.

 Avokati pretendoi në seancën e kaluar se nuk i ka vendosur 24 fashikuj, në seancën e 09.03.2026 dhe në 10.03.2026 rezulton se Veliajt i janë vendosur disa fashikuj. Ndërkohë rezulton se nuk i janë vendosur në dispozicion fashikuj nga 142 deri 166. Këto fashikuj përmbajnë veprime procedurale, dhe për të shmangur çdo pretendim gjykata çmon që edhe këto fashikuj t’i vihen në dispozicion Erjon Veliajt. Pretendimi tjetër për mos vendosjen e provave digjitale, gjykata çmon se në këtë fazë procedurale mbrojtjes nuk i është cenuar e drejta.

Avokati Plarent Ndreca: Do japim qëndrimin tonë për 2 vendimmarrje, mendoj se kërkesa e medias janë të lidhura drejtpërdrejtë me mbajtjen e një procesi të rregullt ligjor. Duke shtuar se publiciteti i seancës për shkak të interesit të lartë publik lidhet direkt me të drejtën e një procesi të rregullt. Nga ana tjetër vlerësoj që është shumë e rëndësishme të njihemi me provat digjitale.

Gjykata: Seanca e radhës caktohet në datën 16 qershor ora 10:00. Duke patur parasysh që 3 avokatët është hera e dytë që seanca shtyhet, i paralajmërojmë se nëse nuk paraqiten do merren masa.

Të pandehurit me proces normal
Erion Veliaj
Ajola Xoxa
Gentian Sula
Meriman Palushi
Shkëlqim Fusha
Sokol Kryeziu
Linda Kazani
Erald Simixhiu
Ina Goxhaj
Valmir Xoxa
Flutura Xhani