AKTUALITET, 8 Korrik 2026, 20:13

Debate në Kuvend/ Gjobë deri në 1 milion lekë për fermerët që gënjejnë ose refuzojnë Censusin

Debate në Kuvend/ Gjobë deri në 1 milion lekë për

Fermerët që refuzojnë ose japin të dhëna të pasakta për sipërfaqen e tokës dhe numrin e gjësë së gjallë për përfaqësuesit e INSTAT-it do të përballen me gjoba që mund të arrijnë deri në 1 milion lekë. Ky parashikim i projektligjit “Censi i Bujqësisë” shkaktoi debate në komisionin parlamentar përgjegjës.

Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, ngriti shqetësime për masën e gjobave, duke e cilësuar atë të papërpjesëtueshme me të ardhurat e fermerëve.

“Përse aplikohet gjoba 30-100 mijë lekë të reja? Është disproporcionale me të ardhurat e fermerëve? Gjoba ka qenë gjithmonë problem”, u shpreh Mziu.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit sqaruan se gjobat janë parashikuar që në vitin 2018, kur u miratua ligji për statistikat zyrtare, duke theksuar se një nivel i tillë u kërkua nga EUROSTAT-i. Sipas tyre, deri më tani ato nuk janë aplikuar, pasi të dhënat janë mbledhur gjithmonë në mënyrë konfidenciale.

Një tjetër pikë që solli debat ishte përfshirja e Policisë së Shtetit gjatë procesit të censusit. Mziu e kundërshtoi këtë praktikë, ndërsa u sqarua se policia vihet në lëvizje vetëm me kërkesë të INSTAT-it dhe vetëm në raste sporadike.

“Përse duhet policia? Ato vihen në lëvizje vetëm nga kërkesa e INSTAT-it në rastet sporadike”, tha deputeti demokrat.

Gjatë diskutimeve u trajtua edhe vonesa në zhvillimin e Censusit të Bujqësisë, i cili duhej të ishte realizuar katër vite më parë, duke qenë se regjistri i fermave përditësohet vetëm një herë në dhjetë vjet.

Mziu e cilësoi të pajustifikueshme këtë vonesë, sidomos pasi mësoi se mbledhja e të dhënave do të zgjasë vetëm gjashtë javë.

“Sa do të zgjasë, sepse sa herë bëjmë censusin na duhet një ose dy vite?”, pyeti ai, ndërsa mori përgjigjen: “6 javë, vetëm gjashtë javë”.

Pyetjet e deputetëve të opozitës u përsëritën disa herë gjatë mbledhjes së komisionit, e cila zgjati 1 orë e 47 minuta. Debatet u shoqëruan me tone të larta dhe momente nervozizmi, duke sjellë edhe përgjigje të shkurtra e të prera.

Në një moment, Mziu pyeti nëse censusi do të ecë paralelisht me reformat në subvencione, vaditje dhe kullim, ndërsa mori përgjigjen: “Po, më shkurt se kaq nuk të jap dot përgjigje”.

Pavarësisht debateve, në përfundim të mbledhjes, palët ranë dakord se zhvillimi i Censusit të Bujqësisë është një proces i domosdoshëm për sektorin bujqësor në Shqipëri.