AKTUALITET, 24 Qershor 2026, 13:29

Lobimi në SHBA, Meta: U bë për 'drejtësinë', Rama po manipulonte DASH! Ftesën për inaugurimin e Trump e kisha si kryetar Kuvendi, kontrata 15 mijë euro u denoncua

Lobimi në SHBA, Meta: U bë për 'drejtësinë',

Ish presidenti, Ilir Meta mbrojti në GJKKO kontratën e lobimit të LSI-së në SHBA, duke deklaruar se ajo u lidh për të mbështetur reformën në drejtësi dhe për të garantuar që procesi të realizohej me konsensus politik. Kjo sepse sipas Metës, Edi Rama po tentonte ta bënte reformën në drejtësi të njëanshme dhe duke manipuluar DASH.

Ndërkohë, sa i takon vizitave në Amerikë gjatë kohës që mbante postin e kryetarit të Kuvendit, Meta thotë se kanë qenë vizita zyrtare të paguara nga Kuvendi dhe të koordinuara me ambasadat e të dy vendeve. Sipas tij, nëse do të kishte pasur shkelje ligjore në SHBA, autoritetet amerikane do të kishin nisur hetime ndaj tij, ndërsa akuzoi prokurorët se nuk kanë treguar interes për provat.

Për takimin me Donald Trump, Meta tha se kur ka shkuar atje, është njoftuar për një kontratë 15 mijë euro për pjesëmarrjen në ceremoninë e inaugurimit. Ai theksoi se kjo kontratë është denoncuar sepse Meta kishte ftesë si kryetar Kuvendi dhe nuk i duhej ajo kontratë.  

Pjesë nga dëshmia e Ilir Metës në GJKKO

 Kam një përgjigje për Arben Krajën. Të detyrohet Kryeministria të japë informacion për shpenzimet e vizitës sime. Shpenzimet i kërkonte Kryeministria dhe jo ministria. Për të gjithë të tjerët janë dhënë, për mua nuk i kanë dhënë. Si zëvendëskryeministër, shpenzimet e mia i paguante Kryeministria. Kjo është e qëllimshme që nuk i japin. Kjo bëhet për të krijuar mjegull, në mungesë të akteve. Ndryshimi i itinerarit ka ndodhur për shkak të përmbytjeve në Shkodër. Nuk diskutohet cili ka qenë roli im në vendimmarrje sa i përket çështjes CEZ. Kalojmë te lobimi.

Bashkëngjitur është kontrata e regjistruar në SHBA dhe në KQZ. Është edhe vendimi i gjykatës së SHBA-së. Mendoj se prokurorët nuk kanë qenë të interesuar për provat, edhe pse kanë pasur akses në to.

Ne na duhen faturat dhe shërbimet që janë bërë. Për çdo shpenzim mbi 1 mijë dollarë është e specifikuar se nuk mund të kryhej pa miratimin e LSI-së. Pa miratim nuk bëhej pagesa.

Kur kam shkuar atje, më thanë për një kontratë prej 15 mijë eurosh për pjesëmarrjen në inaugurimin e Trump. Nuk ka pasur fare kontratë dhe kjo është denoncuar. Unë e kisha takimin si kryetar Parlamenti kohë më parë. Nuk më duhej ajo kontratë.

Marrëveshja u bë vetëm për reformën në drejtësi, që ajo të realizohej me konsensus. Duke parë që Rama manipulonte një pjesë të Departamentit të Shtetit, të cilët nuk merreshin me reformën, por me zonën gjeografike, unë mora këtë angazhim me fonde të partisë, që reforma të bëhej sipas interesit të vetë SHBA-së dhe të mos kishte manipulim.

Bëhej fjalë për periudhën shkurt-maj, sepse më pas do të vinte rekomandimi i Komisionit të Venecias. Reforma përfundoi në maj dhe Komisioni i Venecias dha rekomandimet e veta. Ishte e vetmja periudhë e vizitave intensive në SHBA, të cilat kanë qenë të paguara nga Kuvendi. Të gjitha janë zhvilluar me koordinimin e Ambasadës së SHBA në Tiranë dhe të Ambasadës sonë në Uashington.

Për të takuar senatorë dhe kongresmenë mjafton të pyesni zotin Mediu. Kontrata ka qenë vetëm për reformën në drejtësi, sepse duhej marrë edhe miratimi nga Bashkimi Europian për çeljen e negociatave. Nëse gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar kaq shumë takime, atëherë për çfarë do të paguheshin 300 e ca mijë dollarë për një periudhë kur unë nuk kam qenë fare në SHBA? Këto janë pagesat që pretendohet se i ka bërë Shatku. Prandaj, të përqendrohemi te provat që vijnë bazuar në pyetjet dhe faktet konkrete.

Reformën në drejtësi e kërkuam ne, jo amerikanët apo europianët. Ata planifikuan fondet dhe ishin të angazhuar, pasi donin që të kalonin edhe fondet e parashikuara për këtë proces.

Nëse për këtë periudhë tre mujore janë paguar rreth 90 mijë dollarë nga Kuvendi për vizitat dhe aktivitetet zyrtare, atëherë shtrohet pyetja: 300 mijë dollarët që pretendohet se janë paguar nga Shatku, për çfarë janë paguar? Nëse SHBA do kishte diçka me Ilir Metën, do më kishte hapur një proces atje se kam denoncuar kriminelë si McGonigal.