TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas vendimit të qeverisë për të akorduar 4 milionë euro për koncertin e këngëtarit me famë botërore Kanye West.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Bardhi e ka kritikuar këtë vendim, duke deklaruar se “kur e keqja, arroganca dhe keqqeverisja normalizohen, rënia e shtetit bëhet e pashmangshme”.
Sipas Bardhit, kryeministri Edi Rama u ka kërkuar qytetarëve shqiptarë, të cilët sipas tij janë më të varfërit në Europë dhe me pagat më të ulëta në kontinent, të mbulojnë koston e një aktiviteti privat, pasi biletat nuk janë shitur dhe qytetarët e kanë bojkotuar koncertin.
“Ato para nuk janë të tijat. Janë paratë e qytetarëve shqiptarë”, shkruan Bardhi, duke shtuar se buxheti i shtetit nuk duhet të përdoret për financimin e aktiviteteve private.
Në reagimin e tij, deputeti demokrat përmendi edhe problematikat që, sipas tij, përballen qytetarët, si mungesa e kushteve në spitale dhe shkolla, si dhe niveli i ulët i pagave, pensioneve dhe ndihmës ekonomike.
Bardhi deklaroi se zgjidhja e vetme është anulimi i koncertit, duke përmendur se një veprim i tillë është ndërmarrë edhe në disa vende europiane. Ai theksoi se shqiptarët, sipas tij, nuk duhet të paguajnë nga taksat e tyre për pasojat e një aktiviteti privat apo për përhapjen e urrejtjes.
Reagimi i Gazment Bardhit
Kur e keqja, arroganca dhe keqqeverisja normalizohen, rënia e shtetit bëhet e pashmangshme. Sot, Edi Rama i tha popullit më të varfër në Europë, me pagat më të ulëta në kontinent, se, meqenëse një nxitësi të pashoq të urrejtjes mes popujve i dështoi koncerti, nuk iu shitën biletat dhe qytetarët e bojkotuan, atëherë koston e këtij dështimi duhet ta paguajnë shqiptarët, me urdhër të Edi Ramës.
Çfarë pafytyrësie! Ato para nuk janë të tijat. Janë paratë e qytetarëve shqiptarë, të cilët nuk gjejnë ilaçe në spitale, kanë shkolla pa kushte dinjitoze, marrin pagat dhe pensionet më të ulëta në rajon dhe përfitojnë ndihmë ekonomike në nivele qesharake. Buxheti i shtetit nuk është fond për të financuar aktivitete private. Kurrsesi!
Zgjidhja e vetme është anulimi i koncertit, ashtu siç është vepruar edhe në disa vende europiane. Shqiptarët nuk kanë asnjë arsye të paguajnë nga taksat e tyre për pasojat e një aktiviteti privat apo për përhapjen e urrejtjes.