AKTUALITET, 20 Janar 2025, 14:41

“Bumi” i kriptomonedhave/ Civici: Kjo vjen nga mbështetja e Donald Trump

“Bumi” i kriptomonedhave/ Civici: Kjo vjen nga mbështetja e

Pas Donald Trump, edhe zonja e parë Melani ka lançuar kriptomonedhën e saj rivale me emrin e saj. Valuta dixhitale e Trump pa një rritje të fortë duke arritur në mbi 58 dollarë, ndërsa zhvillimet e fundit kanë rritur optimizmin në tregun e kriptomonedhave.

Bitcoin arriti të hënën mbi 109 mijë dollarë, niveli më i lartë i të gjitha kohërave. Eksperti për ekonominë, Adrian Civici pohoi se rritja e shpejtë e Bitcoin erdhi si pasojë e mbështetjes direkte, që presidenti Trump bëri në kohën e fushatës zgjedhore në Shtete e Bashkuara të Amerikës.

“Trump përmendi besimin dhe mbështetjen për kriptomonedhat në përgjithësi dhe po ashtu do shikonte shtimin e rezervave të kriptove në SHBA. Së fundi kemi kripton e bashkëshortes së tij. Sot në botë ekzistojnë mbi 20 mijë kripto. Pra, është një treg që është në zgjerim të shpejtë. Priten investime të mëdha në këtë fushë”, tha ai.

Sipas ekspertit, investitorët kanë besim te politikat që do të ndjekë Presidenti i SHBA, Donald Trump. Republikani pas inaugurimit, pritet të futet për herë të dytë  në Shtëpinë e Bardhë, si president i SHBA-së. “Besimi i investitorëve në politikat e Trump është më i gjerë. Është një besim që mbështetet në treguesit kryesor të bursave”, tha ai.

Gjatë fushës zgjedhore, Donald Trump pati premtuar krijimin e një rezerve federale në tregun e kriptomonedhave. Por si do të ndikojë kjo qasje e Trump në forcimin e kësaj fushe? Eksperti Civici theksoi se kjo linjë do të krijonte besim shtesë në treg dhe do të çonte në konsolidimin e tij.

“Natyrisht që do ishte treg më i qëndrueshëm. Ka kërkesa dhe veprime në shumë vende të botës për ta vendosur në kontroll tregun e kripotomonedhave, kanë filluar, për ta bërë atë më transparente. E bën këtë treg më interesant, i bën krioptomonedhat më të përdorshme. Nëse avancohet me sistemin rregullator, ky treg po shkon drejt  një rregullimi dhe një lloj kontrolli. Është një sistem pagesa dhe transferimi vlerash, dhe investimi, që po vjen në zgjerim”, tha ai.