AKTUALITET, 2 Shkurt 2023, 21:02

Bllokimi i Parlamentit/ Sejamini: Deputetët e shumicës, shërbëtorë të Edi Ramës! Opozitës i mungon imagjinata

Bllokimi i Parlamentit/ Sejamini: Deputetët e shumicës,

Neritan Sejamini ka folur për bllokimin e Parlamentit ditën e sotme, ku kryeministri Edi Rama nuk u paraqit në interpelancën e kërkuar nga deputetët e PD-së, duke deleguar Elisa Spiropalin si përfaqësuese të tij, çka shkaktoi revoltë nga opozita dhe bllokim të Kuvendit. 

I ftuar në emisionin "Të Paekspozaurit", në MCN TV, Sejamini tha se Parlamenti është në shërbim të plotë të kryeministrit dhe se deputetët i shërbejnë pa hezitim. Ai shtoi se opozitës i mungon imagjinata dhe aksionet e saj për t'u përballur me këtë bllokadë nuk janë efektive. 

"Është një nga shfaqjet kur duket se Parlamenti i shërben kryeministrit. Parlamenti ka për detyrë të bëjë ligje dhe t'i kërkojë llogari qeverisë. Ndërsa këtu deptuetët e shumicës janë shërbëtore të kryeministrit. Është një grup njerëzit që i shërbejne kryeministrit pa asnjë lloj hezitimi.

Nga ana tjetër, kemi një opozitë që ndeshet me hapësirë zero në Kuvend. Nuk i jepet as e drejta të bëjë pyetje. Opozitës i mungon imagjinata dhe përpjekja për të bërë diçka tjetër. Bllokohet foltorja, fryhen bilbilët, edhe opozita ka mbetur peng i një mentalitet të vjetër. I mungon imagjinata.

Sot në kohën e rrjeteve sociale dhe teknologjisë, më duket se kjo që bëjnë nuk është mënyra më efikase", deklaroi Sejamini. 

Analisti shtoi se Rama e përdori Spiropalin si strategji për të dështuar seancën e sotme, duke e ditur se opozita nuk do të zhvillonte interpelancë me të. 

"Strategjia që ka zgjedhur Rama është që të mos flasë fare për këtë çështje. Ai e çoi Elisën seps e dinte që opozita nuk do të bënte interpelancë me Elisën. Interesi i çdokujt do të ishte të mos fliste fare.

Sot zoti Rama ka interes të mos flasë fare. Ai po bën gjënë më praktike dhe efikase në gjendjen që ai është, sepse ai e di të vërtetën", deklaroi Sejamini.